A po bëhet presidentja “ylli i opozitës”? Haradinaj e përkrah Osmanin për incidentin në Shkup, e kritikon Kurtin - NACIONALE

A po bëhet presidentja “ylli i opozitës”? Haradinaj e përkrah Osmanin për incidentin në Shkup, e kritikon Kurtin

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Çarja mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, dikur bashkëpunëtorë të rryer, duket se e ka ndryshuar edhe diskursin e Ramush Haradinajt, kryetar i AAK-së. Mbrëmë në Kanal 10, gjuha e Haradinajt ishte absolutisht e ndryshme për dy liderët e lartcekur, duke lënë të nënkuptoheshin një “nuancim kritike” dhe “afrim i kujdesshëm” me Osmanin, e një qasje e pandryshuar ndaj Kurtit.

Përderisa fliste për Kurtin, Haradinaj i rezervonte fjalët më të ashpra e kritikat më radikale, duke e shënjestuar për disa tema, përfshirë veriun, dialogun dhe korrupsionin e dyshuar gjatë qeverisjes gati katërvjeçare të VV-së.

Ndërsa për Osmanin, ish-kryeministri shprehte solidaritet rreth incidentit në aeroportin e Shkupit, kryeqytet i Maqedonisë së Veriut. Jo vetëm kaq! Në një moment, Haradinaj e bëri dallimin mes Osmanit e Kurtit, duke vlerësuar se Osmani ka tentuar ta ndihmojë Kosovën në lidhje me statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Mbrojtja e Haradinajt për Osmanin

Gjatë intervistës me moderatorin Kushtrim Sadiku, Haradinaj u pyet për incidentin në aeroportin e Shkupit, që ngjau para më shumë se një muaji. Në një mënyrë joekuivoke, Haradinaj e përkrahu Osmanin, duke e quajtur incidentin si ngjarje të pahijshme.

“Nuk ka qenë e hijshme ajo që ndodhi me presidenten në aeroport. Pra, ata nuk guxojnë të bëjnë sjellje të tilla. Nuk është në nderin e tyre me zbatu ligjin te presidentja jonë. Edhe nëse s’ka qenë i qëllimshëm, menaxhimi ka qenë shumë i keq nga ana e tyre. Sjellja e tyre nuk ka qenë në rregull…Ata duhet t’ia vëndosin gishtin kokës, sepse kanë nevojë për fqinj dhe duhet të bëjnë kujdes, se nuk veprohet ashtu” – ka thënë Haradinaj.

Pasi e përkrahu presidenten Osmani rreth incidentit në aeroportin e Shkupit, Haradinaj e nisi kritikën për këtë temë ndaj kryeministrit Kurti. Haradinaj tha se shkuarja e Kurtit në Maqedoni të Veriut dhe “zgërdhirja e tij atje” ishin fyese.

“Ka qenë shumë fyese vizita e Kurtit menjëherë në Maqedoni, pas incidentit me presidenten. Ka qenë shumë fyese me shku tri ditë më vonë. Ai është dashur ta anulojë atë vizitë. Një njeri normal nuk shkon menjëherë në atë shtet që ta fyen ashtu presidenten, nuk shkon, nuk ka njeri normal që e bën atë. Ish dashtë nja gjashtë muaj me nejt si idhnueshëm, me bë kujdes, me i kërku disa sqarime. Ajo sjellje e tij, me shku tri ditë më vonë atje, me u zgërdhi atje, u kanë shumë fyese” – tha mbrëmë Haradinaj, transmeton Nacionale.

Nuancimi…

Gjatë një sekuence tjetër të intervistës, Haradinaj i zgjedhte fjalët edhe kur e kritikonte Osmanin. Në një moment, Haradinaj i kërkoi Osmanit që të distancohet publikisht nga Kurti.

“Një kritikë për zonjën Osmani, pse më herët nuk i ka marrë qëndrimet shumë të qarta? E di se i ka dhënë disa nuanca, por unë mendoj që ia ka pasur borxh dhe ia ka borxh Kosovës një konferencë për shtyp në ose para Presidencës dhe me i njeh nja 10 pika ku Kurti e ka dëmtuar Kosovën, e që ajo nuk e ka ndarë mendimin me Kurtin gjatë këtij rrugëtimi dhe rezultati i të cilave sot ajo distancohet nga ai, nga qasja e tij” – tha Haradinaj.

Madje, në këtë përpjekje për nuancim, Haradinaj theksoi se presidentja Osmani ka tentuar ta ndihmojë Kosovën, vlerësim që nuk e rezervon për Kurtin, ndaj të cilit ka vazhdimisht kritika e akuza për “argatllëk” për Serbinë.

“P.sh. une e di që presidentja u mundu me ndihmu Kosovën me një draft për Asociacionin. Unë e di këtë situatë” – tha Haradinaj, transmeton Nacionale.

Nuk dihet nëse Osmani me të vërtetë do të shndërrohet në “yllin e opozitës”. Megjithatë, së paku në rastin e Haradinajt, është vërejtur ashiqare një ndryshim në gjuhën dhe thellësinë radikale e kritikën ndaj Komandantes Supreme.

Lajme të ngjashme