Le ta themi të vërtetën, Albin Kurti s'punoi asgjë për një vit pushtet
Të mendosh për punën njëvjeçare të Albin Kurtit si kryeministër është njësoj si të mendosh për punën njëvjeçare të Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri”, dega Deçan. Kërkohet mendim pra, mbi dy grupe krejt triviale e të papërfillshme. Nëse historianët deçanas i bën të parëndësishëm – ani pse fort të zhurmshëm – pozicioni i tyre, Kurtin me të tijët i bën të parëndësishëm puna e lodhtë si rrjedhojë e mungesës së çfarëdo ideje serioze për të qeverisur.
Hidhni një sy programit qeverisës që ishte vonuar shumë dhe në fund doli të ishte si hartimi i ndonjë nxënësi fillorist.
E për më keq, tash na e përgatitën edhe një reklamë – që kushedi me para të kujt paguhet - në të cilën numërojnë dymbëdhjetë të arriturat e mëdha gjatë këtij viti. Banale sa më s’ka! Asnjëra prej tyre nuk meriton të quhet arritje, e lëre më të fitojë cilësorin e “arritjes së madhe”.

Përmendin “Parkun e Erës” që u nis gjatë Qeverisë Haradinaj dhe është projekt gjermano-izraelit për të cilin as Haradinaj s’ka ndonjë farë merite. Pastaj, përmendin “strehimin e refugjatëve afganë” sikur për këtë gjë të ishte kërkuar një mal me ide e një infrastrukturë e hatashme. Në fakt, 1149 refugjatë mund t’i strehojë edhe cilido fshat në Kosovë për aq pak kohë. Çka tjetër? Përmendin edhe shkatërrimin e 54 grupeve kriminale, kur dihet nga raportet 24-orëshe të Policisë se ‘grupe kriminale’ shkatërroheshin përditë edhe në të kaluarën.
Këto budallallëqe reklamash secilit që di të lexojë i kallëzojnë se nuk ka pasur kurrfarë pune, as të mirë e as të keqe.
Jam i bindur që Lidhja e Historianëve “Ali Hadri”, dega Deçan, po të ishte në krye të Qeverisë do të bënte shumë më shumë. Sinqerisht!
E vërteta e kësaj qeverie është pushimi i patrazuar e i gjatë i kryeministrit në ishullin Symi derisa në vendlindjen e historianëve të lartpërmendur, Deçan, u helmuan qindra njerëz. E vërteta e saj janë xhipat e zi me të cilët sorollatet pa ndonjë punë kryeministri. E vërteta e saj është prania e kryeministrit në seanca krejt të kota të Kuvendit, që dikur quhej me të drejtë prej Vetëvendosjes si një sallë nga e cila kalohej prej një bufeje në tjetrën. E vërteta e saj janë ndryshimet e qindra qëndrimeve të shprehura me fanatizëm dikur e të shkelura pa pikën e përgjegjësisë gjatë këtij viti. Çka na tregojnë qëndrimet e shkelura, a mund t’i shtrojë pyetjen vetes dikush? Mungesën e çfarëdo qëndrimi, edhe në të tashmen.
“Cili është vizioni i Albin Kurtit?” – mund të jetë pyetja tjetër. Nëse veç e keni lexuar programin e Qeverisë së tij do ta vëreni se nuk ka kurrfarë vizioni. Ka një mungesë trishtuese idesh për të çuar çfarëdo pune serioze përpara apo për të kryer çfarëdo projekti për të ardhmen. Ka një mungesë trishtuese guximi për të gabuar diku e për t’i lënë më të lirë vartësit e tij. Kryeministri nuk duhet të zhduket nën punët e përditshme mbytëse e të përhumbet në mikro-menaxhim. Kryeministri nuk e ka luksin t’i bëhet bajat puna për të cilën paguhet. Kjo është banale!
104 mijë qytetarë nuk aplikuan për viza pune në Gjermani duke ikur nga shkronja Ë – siç e thashë me sarkazmë në një shkrim tjetër – por ikën nga mungesa e besimit se diçka ndryshe do të vinte. Dhe kanë plotësisht të drejtë sepse po vazhdohet, veçse me ritëm breshke, i njëjti kurs politik. Nuk ka kurrfarë strategjie për ta rritur numrin e investimeve të huaja direkte. Nuk ka kurrfarë strategjie për ta rritur optimizmin qytetar, e për ta ulur apetitin për konsum. Nuk ka kurrfarë strategjie për ta bërë diasporën alet të vyeshëm ekonomik dhe për ta bërë konkurente të pabarabartë e të drejtë me secilin prej nesh që jemi këtu me kapital më të vogël. Nuk ka kurrfarë strategjie për të integruar grupet e margjinalizuara e për të çintegruar grupet e kriminalizuara elitare. Nuk ka kurrfarë strategjie për asnjërin prej dikastereve. E si mund ta kuptojmë fare lehtë se nuk ka? Sepse Kurti ka strategji për marketing – që bën videospote, grafikone, fotomontazha në baza ditore – dhe po të ndodhte diçka e madhe do ta merrte vesh i madh e i vogël.
Qeveria kërkon të na çorientojë nga të kuptuarit se ‘mbreti është cullak’ përmes frazash burokratike që nuk kanë kurrfarë domethënieje. Dhe meqë fjalori i Kurtit po burokratizohet ne mund të shohim edhe shpresën e tij që duke i trullosur qytetarët me do fjalë pa domethënie të ndillet paragjykimi se diçka që s’e marrim vesh ne, megjithatë po bëhet. Mirëpo, reklama që i bëri punës së vet e tradhton!
Ashtu si Kurti me vartësit e tij, edhe ne e dimë që asgjë nuk po bëhet. Dhe shumë shpejt do ta marrë vesh edhe populli. Humbja e plotë e besimit do të ishte shkatërruese për shoqërinë, edhe ashtu në ikje dhe në çintegrim.
Sidoqoftë, nuk është demokratike që të thurim gënjeshtra për të mirën e përgjithshme. Kurti duhet të marrë pushim për të menduar për ndonjë projekt të madh, çfarëdo qoftë, për të na dhënë pak shpresë. Nuk është e vërtetë që secili prej nesh ia do të keqen. Ai nuk duhet të jetë ‘punëtor me hillt’, domethënë i vetmuar në punën e tij që paragjykon edhe vetë vartësit si njerëz jokompetentë. Nuk mund të jetë gjeneral i një ushtrie të vdekur.
Po e përsëris atë që e kam thënë kur kryeministri kishte marrë mandatin. Motori i fshehur i ndryshimit të menduar prej tij ishte një koncept i gabuar antropologjik. Ai e fuste brenda skemave të prodhimit dhe politikave ekonomike dashamirësinë njerëzore. Ishte kjo dashamirësi që do të hapte fabrika, do të sjellte investime, do t’i bënte nxënësit të lexonin më shumë, ndërmarrësit të ishin më të zotë, fshatarët të punonin tokën përkundër humbjeve etj. Nuk funksionon kështu!
Tash për tash, qeverisja e Kurtit është thjesht komike. Por, në vitin 2025 kur i mbaron mandati do të jetë tragjiko-komike pasi rinia kosovare – pjesa më e madhe e popullit – do të jetë tri vjet më e plakur.