LDK në Gjilan: VV ka krijuar vetëm pluhur e tollovi si pasojë e inateve politike
Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan ka kritikuar qeverisjen aktuale komunale të udhëhequr nga Vetëvendosje, duke e akuzuar se po i trajton projektet e Gjilanit si të huaja dhe po e injoron punën e bërë nga LDK në mandatin e kaluar. Sipas tyre, në katër anët e qytetit është krijuar vetëm pluhur e tollovi si pasojë e inateve politike, neglizhencës dhe mosdijes së kësaj administrate.
LDK thekson se projekte të rëndësishme si Magjistralja Gjilan-Bujanoc, Magjistralja Gjilan-Ferizaj, Magjistralja Gjilan-Prishtinë, autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, Stadiumi i Qytetit, Fshati i Lumtur dhe shumë projekte të tjera, po injorohen nga qeverisja aktuale komunale dhe qeveria qendrore.
"Qeverisja aktuale komunale po i trajton si të huaja projektet të cilat ne lamë të gatshme për t’i vazhduar. Në katër anët e qytetit është krijuar vetëm pluhur e tollovi, si pasojë e inateve politike, neglizhencës e mosdijes së kësaj administrate. Magjistralja Gjilan-Bujanoc, magjistralja Gjilan-Ferizaj, magjistralja Gjilan-Prishtinë, autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, Stadiumi i Qytetit, Fshati i Lumtur dhe shumë projekte të tjera, duket se nuk janë projekte me rëndësi për qeverisjen qendrore dhe lokale, ashtu siç janë për qytetarët e Gjilanit."
LDK thekson se është e papranueshme që projekte të trajtohen me inate politike, sepse ato janë projekte të qytetarëve dhe jo të partive politike. Ata po kërkojnë nga qeverisja aktuale komunale dhe qeveria qendrore që të trajtojnë këto projekte si prioritet dhe jo si projekte të dyta.
"Është e papranueshme që projektet të trajtohen me inate politike, sepse pavarësisht që ato janë nisur në mandatin e LDK-së, para se gjithash, janë projekte të qytetarëve tanë dhe jo të partive politike. Qeverisja e udhëhequr nga kryetari z. Haziri punoi shumë që të përfitojmë besimin nga donatorët dhe qeveritë e ndryshme që u ndërruan, dhe së bashku me zyrtarët komunalë, arritëm që të përfitojmë grante dhe projekte të mira për komunën tonë.
Mos i ndëshkoni sportistët, mos i ndëshkoni rastet sociale, mos i ndëshkoni qytetarët tanë, sepse nuk ua kanë me borxh këtë pasivitet e mosdije në qeverisje!
Viti i parë ishte i humbu për Gjilanin, i tillë po duket edhe viti i dytë. Urojmë të mos e kemi një mandat të humbur!"