LDK-ja rrezikon t’i humbë 110 mijë e 985 votues, plus edhe diçka më shumë
LDK-ja e Abdixhikut duket se do t’i humbë 110 mijë e 985 votuesit më besnikë të saj në rast se vazhdohet me retorikën aktuale të lidershipit të saj kundër ish veprimtarëve më të shquar të dikurshëm. Por, rreziku për këtë parti nuk është veç elektoral.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në ditën e ftohtë të 14 shkurtit 2021 veçse priste rezultat ‘të acartë’. Partia që atëbotë drejtohej nga Isa Mustafa e kishte humbur popullaritetin shkaku i një mori vendimesh jopopullore që u tha se u bënë ‘për hirë të interesave kombëtare’.
Një prej këtyre vendimeve ishte shkëputja e koalicionit me VV-në pas presionit të madh nga Shtetet e Bashkuara (ShBA). Një tjetër ishte lidhja e koalicionit qeveritar me AAK-në dhe Nismën për po të njëjtën arsye. Një edhe më tjetër ishte përjashtimi i Vjosa Osmanit. Krejt këto vendime nga lidershipi sikur merreshin që të testohej se cili prej votuesve ishte ‘tamam LDK’, për t’i larguar të gjithë ata që s’i besonin përnjëmend.
Dhe, mbetën 110 mijë e 985 vetë që e kaluan ‘testin’. 110 mijë e 985 njerëz u bënë me LDK-në edhe pse e dinin që s’do të fitonte, edhe pse e dinin që partia ishte në ditët më të vështira të saj.
A po ‘humben’ këta njerëz?
Rezultati i 14 shkurtit që s’i dha më shumë se 15 deputetë, bëri që në partinë më të vjetër parlamentare në vend të nxitej kërkesa për reforma. Kryetar u bë Lumir Abdixhiku, i anëtarësuar në LDK vetëm pak kohë më parë.
Në fjalën e tij të fitores, Abdixhiku mes tjerash premtoi edhe reforma organizative. Por, duket se reformimi po bëhet vetëm sa i përket fytyrave që e përfaqësojnë.
Isa Mustafa, i cili edhe e kishte marrë Abdixhikun në parti, ishte shprehur mjaft i çuditur me drejtimin që po e merrte partia.
“Vetëvendosje e ka mbjellë farën e tyre edhe te LDK-ja, edhe te njerëzit e LDK-së, të cilët sot, në një formë, turpërohen nga ajo që ka punuar LDK-ja në të kaluarën.” – kishte thënë ai në muajin tetor.
Kjo kritikë ishte hedhur poshtë nga kryetari i ri që madje kishte kërkuar edhe të mos kishte shumë kritika për LDK-në e tij.
“Nuk besoj se ka njerëz që turpërohen prej të kaluarës së LDK-së. Unë po shoh njerëz të përkushtuar në LDK. Ne kemi njerëz që po bëjnë çmos që partinë ta kthejnë në vendin e vet. Presim më shumë kontribute e më pak kritika ndaj LDK-së,” – ishte përgjigja e Abdixhikut.
Por, situata vetëm sa do të përkeqësohej në vazhdim. Melihate Tërmkolli - ish deputetja që kishte votuar ndër të paktë kundër suprimimit të Autonomisë më 1989 – kishte shprehur në një intervistë për gazetën Nacionale zemërim të ngjashëm.
“Pyetja duhet të shtrohet: a ka opozitë Kosova? Kosova nuk ka opozitë. Parti ka, por opozitë nuk ka. Ato janë variante të frymës së Albin Kurtit. Sidomos LDK-ja, është tërësisht një variant i frymës së Albin Kurtit,” – ishte shprehur znj. Tërmkolli.
Ndërkohë, episodi më ilustrues dhe më i errët në këtë mesele është ai me Skënder Hysenin. Ish ministri i jashtëm dhe veprimtari i hershëm i LDK-së kishte kritikuar Vjosa Osmanin për qëndrimet e saj armiqësore ndaj shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Për të treguar se sa keq mund ta pësonte Kosova, ai kishte përmendur edhe Millosheviqin.
LDK-ja kishte bërë një reagim mjaft të ashpër që rivalizonte edhe mallkimin e Donika Gërvallës drejtuar Skënder Hysenit me fjalët “Zoti t’marroftë!”
“LDK jo vetëm që distancohet nga gjuha e tij, por LDK ka dy vite që është distancuar nga mendësia e tillë politike. Është për habi, gjithsesi, se si figura pa fuqi politike e partiake sot, zënë hapësirë mediale dhe kontaminojnë diskursin publik,” – i kishte thënë Nacionales, zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi.
Ky ishte reagimi më i ashpër deri tash nga kjo parti ndaj kritikëve brendapartiakë.
Kush janë 110 mijë e 985 njerëzit?
Nuk ka dyshim se mes këtyre njerëzve ishte edhe Lumir Abdixhiku si kandidat për deputet, por ishin edhe Isa Mustafa, Skënder Hyseni dhe Melihate Tërmkolli.
Madje, vetë këta votues me votën e tyre na e dëshmojnë se simpatia për kryetarin aktual të LDK-së nuk ishte aq e madhe pasi shumica e votave kishin shkuar për politikanë që ishin më moti në këtë parti.
Prej 110 mijë e 985 votuesve të saj, vetëm 25 mijë e 267 e kishin votuar Lumir Abdixhikun. Mes këtyre votuesve besnikë të LDK-së, Abdixhiku kishte qenë më pak popullor madje edhe se Kujtim Shala (-7400 vota) ndërsa nuk kishte pasur as gjysmën e votave të Avdullah Hotit (-34 mijë vota).

Nëse këta votues ndajnë qëndrimet e njëjta me ato të Mustafës, Tërmkollit e Hysenit, atëherë kjo parti mund të jetë duke e humbur bazën e saj elektorale.
Çka ndodh nëse LDK-ja e humbë bazën elektorale?
Guximi i LDK-së për të sulmuar kritikët e saj brenda partisë, pavarësisht historisë dhe kontributit të mëhershëm, bazohet te sondazhet.
Në njërin sondazh që u bë publik edhe nga Nacionale javët e fundit, LDK ka arritur të dyfishohet në raport me zgjedhjet e 14 shkurtit. Kjo parti, kishte arritur në 25.6 për qind derisa Vetëvendosje që i kishte marrë mbi 50 për qind në zgjedhje i mori vetëm 33.9 për qind.
Por, a është kjo një rritje e shëndetshme?
Partia në pushtet, Vetëvendosja, aktualisht po përballet me pakënaqësi të shtuara nga shumë anëtarë të saj. Për të arritur që ta merrte një përqindje të lartë për të qeverisur e vetme vendin, kjo parti politike kishte marrë në radhët e saj shumë politikanë që nuk ishin të afërt me bazën elektorale dhe më e rëndësishmja, as me profilin ideologjik.
Lideri Kurti në anën tjetër, është kritikuar me të drejtë se ka ndryshuar të gjitha qëndrimet kryesore të tij politike.
Kjo histori e shkurtër politike, na bën të kuptojmë që rreziku i këtij zvetënimi nga baza prej LDK-së nuk është thjesht elektoral por edhe demokratik. Nuk rrezikohet thjesht humbja e një numri shumë të madh votuesish (e të cilët dolën më besnikët në LDK) por njëkohshëm edhe konsistenca në qëndrime politike e lidershipit të saj.

