Intervistë | Tërmkolli: Albin Kurti këtë herë nuk guxon të jetë dezertor - NACIONALE

Intervistë | Tërmkolli: Albin Kurti këtë herë nuk guxon të jetë dezertor

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për sjelljen ndaj ShBA-së.

Ajo ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të sillet me përgjegjësi ndaj mbështetësit kryesor të Republikës së Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Tërmkolli ka thënë se kryeministri i Kosovës nuk guxon të dezertojë, ashtu siç ka bërë në vitin 2020.

Sipas saj, kryeministri ka marrë përgjegjësi për t`i zgjidhur problemet, jo për të ikur nga to.

Tash po del se është një lloj hezitimi i kryeministrit dhe një lloj pasigurie. Kur e ka pasur pushtetin në qeverinë e parë, unë kam pas thënë që Albin Kurti doli të jetë dezertor. Dhe kësaj here nuk guxon të jetë dezertor. Ai ka marrë vota me e zgjidhë problemin, sikurse secili që merr vota me zgjidhë probleme. Ky aq më tepër, sepse ka mbi 50 për qind të votave të qytetarëve. Kështu që çdo përpjeke për me i ikë zgjidhjes se problemeve, për mendimin tim, ka një emër tjetër, që unë nuk dua ta them. Por ndoshta, në momente të caktuara, edhe duhet të thuhet. Dua të besoj se nuk do të ikë nga zgjidhja e problemeve”- ka thënë ajo.

Tërmkolli ka bërë me dije se nëse i pari i ekzekutivit nuk ka aftësi për ta zgjidhur problemin me Serbinë, ai duhet të deklarohet publikisht.

Nëse nuk ka aftësi dhe nuk ka takat me i bo zgjidhjet, atëherë duhet me thanë dhe me e pranu publikisht. Mendoj se këto nuk janë bash lojëra, çështja e shtetit dhe e Kosovës nuk është lojë, se po hy unë dhe, pasi nuk po mund ta zgjidh, tani po ik. Kjo është çështje serioze, nuk është eksperiment”- ka deklaruar Tërmkolli.

Ajo ka vlerësuar se Qeveria duhet të këtë kujdes në bisedimet me Serbinë dhe në çdo rast duhet të bashkërendohet me ShBA-në.

Sipas saj, problemi kryesor në këtë proces është çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ajo ka thënë se pranimi i formimit të Asociacionit është gabimi më i madh që e ka bërë pala kosovare.

E vetmja zgjidhje në këtë drejtim mund të jetë një reciprocitet me statusin e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Ka tendenca që çështja e asociacionit të lidhet me njohjen e Kosovës nga Serbia. Pra si njëfarë dhurate Serbisë për njohje”- ka thënë ajo, duke shtuar se Kosova nuk duhet të pranojë asnjë marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa njohje eksplicite.

Qeveria do të tërhiqet nga vendimi për targat

Ish-deputetja e LDK-së ka vlerësuar se Qeveria do të tërhiqet nga vendimi për targat.

Këto qëndrimet “as me shehër e as me Barilevë” gjithmonë sjellin telashe të mëdha, sepse tërheqja nënkupton një qëndrim jo të mirë të Qeverisë, kurse mbajtja e tij është edhe më e dëmshme. Mësa po shoh unë, Qeveria do të tërhiqet, por do të tërhiqet duke e dëmtuar interesin e Kosovës. Sepse nuk po bëhen tërheqja për atë që e ka paraqitur ShBA-ja, por po shkojnë në Bruksel për të biseduar me Serbinë për tërheqjen nga vendimi për targat. Kjo është katastrofale”- ka thënë ajo.

Tërmkolli ka thënë se është papërgjegjësi e Qeverisë që për çështjen e targave të bashkërendohet me BE-në dhe jo me ShBA-të.

Fatkeqësisht, po tregohet më e afërt jo vetëm me BE-në, por po tregon se pa Serbinë nuk mund të marrë asnjë vendim. Kjo është fatkeqësia më e madhe. BE-ja është ndërmjetëse, Qeveria e Kosovës nuk po bisedon me BE-në, por me Serbinë. Problemi tjetër është se në kohën kur ne u dashtë të merremi me marrëveshjen finale me Serbinë, e cila duhet të sjellë një njohe të ndërsjellë, ne flasim për targat”- ka thënë ajo.

Tërmkolli ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk është duke i marrë seriozisht as qortimet që i ka pranuar nga ShBA-ja për çështjen e targave.

Këto sanksione, sepse mund te quhen sanksione, sepse të anulohen vizitat e niveleve ministrore në ShBA, nuk është një masë krejt e vogël. Ajo çka po me shqetëson shumë, është se nuk është marrë shumë seriozisht as kjo masë, të cilën e ka ndërmarrë ShBA-ja ndaj Qeverisë së Kosovës”- ka thënë ajo, duke shtuar se kjo e tregon papërgjegjësinë e qeverisë.

Po të ishte se i ka të gjitha mundësitë dhe argumentet që ta zbatonte vendimin që e ka marrë, le ta bëjë dhe unë do ta përkrahja pafundësisht. Por, nëse nuk i ka mekanizmat, fuqinë për të bërë një zbatim të tillë, atëherë duhet një bashkëpunim dhe një koordinim i pandalshëm me aleatin më të madh, ShBA-në, e cila kërkoi shtyrje të vendimit. Nuk kërkuan heqje dorë, por një shtyrje”- ka thënë Tërmkolli.

Kosova pa opozitë

Ish-deputetja e LDK-së i ka kritikuar edhe subjektet opozitare.

Ajo ka thënë se Kosova ka parti që nuk janë në pushtet, por nuk ka opozitë.

Pyetja duhet të shtrohet: a ka opozitë Kosova? Kosova nuk ka opozitë. Parti ka, por opozitë nuk ka. Ato janë variante të frymës së Albin Kurtit. Sidomos LDK-ja, është tërësisht një variant i frymës së Albin Kurtit”- ka thënë ajo.

Tërmkolli nuk ka dashur ta komentojë më shumë punën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

E kam dhënë [qëndrimin] kaherë, e dhashë edhe tash. Nuk kam çka shtoj”- është shprehur ajo.

Sipas Tërmkollit, Memli Krasniqi dhe Lumir Adbixhiku nuk janë liderë, por kryetarë të partive.

Me tej, ajo ka vlerësuar se edhe partitë opozitare kanë përgjegjësi për situatën nëpër të cilën po kalon Kosova.

Opozita nuk është në nivelin e përgjegjësive që i ka dhe përgjegjësive që janë parashtruar para neve. Sepse ne duhet te merren me do vendime pak më të mëdha se zakonisht. Nuk është çështje e vogël një marrëveshje finale me Serbinë dhe sjellja jonë krejt fodullëk karshi kësaj çështjeje, edhe e Qeverisë dhe e partive të tjera, që quhen opozitare”- ka thënë ajo.

Sipas saj, Kosova është shtet i të gjithëve.

Kosova nuk është vetëm e një qeverie apo e një kryeministri. Kosova është e të gjithëve. Po aq sa ka përgjegjësi Qeveria, po aq përgjegjësi duhet të ketë edhe opozita për marrëveshjen finale”- është shprehur ajo.

Serbia si shtet artificial

Veprimtarja e hershme e LDK-së ka thënë se pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës janë territoriale.

Ajo ka thënë se Serbia është shtet artificial.

“Pretendimet e Serbisë janë për ta rikthyer Kosovën, natyrisht, pa shqiptarë. Është një absurd i llojit të vet. Pretendimet e saj në këtë drejtim janë të pandalshme”- ka thënë ajo.

Sipas saj, Kosova nuk e ka trajtuar Serbinë asnjëherë si shtet artificial.

Ne si institucione dhe si shoqëri nuk e kemi bë asnjëherë shumë të qartë dhe nuk e kemi trajtuar asnjëherë Serbinë si shtet artificial. Serbia është shtet artificial. Pothuajse gjysma e territorit të saj, që e ka tash nën administrim, është territor shqiptar”- ka thënë ajo.

Me tej, Tërmkolli ka thënë se kurdo që flitet për kufij, Kosova bazë duhet ta këtë Kongresin e Berlinit.

Kurdo që flitet për kufij, bazamenti është Kongresi i Berlinit dhe kushdo që është i gatshëm, edhe miqtë tanë, atëherë baza është Kongresi i Berlinit. Ose thënë më qartë: revidimi i vendimeve të Kongresit të Berlinit. Sepse Serbia është shtet tërësisht artificial, i ndërtuar mbi tokat dhe gjakun e shqiptarëve”- ka thënë ajo.

Lajme të ngjashme