Largohen edhe barrikadat e mbetura në veri të Republikës së Kosovës - NACIONALE

Largohen edhe barrikadat e mbetura në veri të Republikës së Kosovës

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Janë larguar tashmë të gjitha barrikadat në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Kështu ka raportuar Radio Evropa e Lirë, teksa ka sjellur edhe pamje nga momenti i lirimit të urës, urë kjo e bllokuar nga serbët lokalë përmes bllokadave të vendosura te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicën e Veriut.

Heqja e postblloqeve u mundësua nga Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX dhe Policia e Kosovës.

Barrikadat në veri filluan të largohen mëngjesin e së enjtes. Të njëjtat qëndruan për 20 ditë, duke bllokuar lëvizshmërinë e qytetarëve.

Mëngjesi i së enjtes nisi me djegien e 2 kamionëve që bllokonin një lagje në veri të vendit.

“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur "Shkëmbi i Dudës" në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.” - thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Vlen të përmendet se dërgimi i ish-policit Pantiq në arrest shtëpiak derivoi në një shtensionim të situatës në veri.

E pas ndryshimit të masës së paraburgimit, barrikadat, që ishin vendosur si shenjë proteste ndaj arrestimit të Pantiqit, filluan të largoheshin.

Pas këtyre zhvillimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dolën me një komunikatë të përbashkët, ku thuhej se kanë pranuar garanci nga lidershipi politik në Kosovë se nuk do të kishte lista të arrestimeve për qytetarët e barrikaduar.

“Ne mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se asnjë listë e serbëve të Kosovës nuk ekziston për t’u arrestuar apo përndjekur për protestat/barrikadat paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet, dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.” – thuhej mes tjerash në këtë komunikatë.

Duhet përmendur me patjetër faktin se vendet evropiane, Franca e Gjermania konkretisht mbështetën lëvizjet para, ndërsa potencuan faktin se dialogu është e vetmja zgjidhje.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe dhe kosovare që të vazhdojnë të punojnë në mënyrë konstruktive për të zbutur tensionet në terren dhe për të ecur drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE.” – thuhej në komunikatën e pak ditëve më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës.

Kurse, Zëvendës-zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann ka mirëpritur uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Përkundër faktit se nuk pranoi të komentojë kërkesën e Kosovës për shtimin e trupave të NATO-s në rajon, ka thënë se heqja e barrikadave është shenjë e mirë e përafrimit të palëve.

Kjo është një shenjë e mirë, që të dy palët janë afruar me njëra-tjetrën dhe se pakica serbe në veri të Kosovës i ka hequr barrikadat”, kishte thënë ndër tjerash Christiane Hoffmann në Berlin.

Lajme të ngjashme