Lajmet jepen, por jo qysh do VV-ja: Si mund të kuptohet fushata e re e pushtetit?
“Lajmet që nuk jepen” e mban emrin fushata e re e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në një mënyrë apo tjetrën, tenton t’i paraqes mediat në Kosovë si joprofesionale. Partia në pushtet duke ndarë zhvillime të ndryshme, për të cilat patjetër që gazetarët raportojnë, po lë të kuptohet se në fakt këto lajme nuk po jepen. Lajmet jepen, por jo qysh do partia në pushtet. Si mund të kuptohet kjo fushatë?
Para dhe pasi Lëvizja Vetëvendosje ta shpërndante një rrenë të madhe, të njohur si “fake news”, është parë që eksponentë të këtij subjekti politik kanë nisur një fushatë.
Fushata, e cila po shpërndahet tash edhe me hashtag-un “Lajmet që nuk jepen” në shikim të parë mund të duket si një përpjekje e partisë për t’i shpërndarë sa më shumë ato që i konsiderojnë suksese të qeverisë që drejtohet nga kreu i tyre, Albin Kurti.
Por…në fakt mund të shihet edhe si një përpjekje për t’i prezantuar mediat si joprofesionale.
Përpjekja e VV-së
Natyrisht, që lajmet nuk duhet të trajtohen në mënyrën si dëshiron partia në pushtet, apo ndonjë parti tjetër qoftë ajo opozitare.
Analisti Imer Mushkolaj i ka thënë Nacionales se VV-ja po bën përpjekje për të krijuar fakte alternative.
“Është një përpjekje për të krijuar fakte alternative, dhe në të njëjtën kohë, për t’i prezantuar mediat si joprofesionale, sepse nuk po i paraqitkan “lajmet e tyre”. Në të vërtetë, mediat i raportojnë të gjitha ato lajme, por jo në mënyrën qysh dëshiron VV-ja.” – tha ai.
Madje, Mushkolaj e thekson qartë se nëse disa lajme nuk trajtohen me qasje kritike, atëherë kemi të bëjmë veç me propagandë partiake.
“Ka plot lajme të tilla të cilat, po qe se nuk trajtohen me qasje kritike, janë thjeshtë propagandë partiake. Andaj, mediat duhet të vazhdojnë punën e vet, duke raportuar drejt dhe saktë pa marrë parasysh nëse parisë në pushtet i pëlqen ose jo kjo mënyrë e raportimit.” – u shpreh mes tjerash ai.
VV jep lajmin: Kosova përfiton 4.2 miliardë euro nga BE-ja
Kanë kaluar vetëm shtatë ditë që prej kur Lëvizja Vetëvendosje e shpërndau një rrenë të madhe, e përmirësoi dhe nuk kërkoi falje.
Bëhej fjalë për një pako të “Tregut të Përbashkët” të Bashkimit Evropian, e cila gjithsej përbëhet nga 4.2 miliardë euro. Dhe VV-ja…tentoi ta japë lajmin se Kosova e ka fituar krejt këtë shumë të parave.
VV-ja deklaronte që në fillim me shkronja të mëdha, se Kosova ka përfituar 4.2 miliardë euro. Nacionale më pas, raportoi rreth këtij “fake-news-i” duke sqaruar se e vërteta qëndron ndryshe.
“Programi “Tregu i përbashkët u mundëson qytetarëve të jetojnë, punojnë dhe udhëtojnë kudo që dëshirojnë dhe u ofron konsumatorëve mbrojtje dhe zgjedhje më të madhe të produkteve dhe shërbimeve me cilësi të lartë me çmime më të ulëta me një buxhet prej 4.2 miliardë eurosh për periudhën 2021-2027.” – thuhej në njoftimin e Komisionit Evropian.
Disa orë më vonë, vetëm pasi që u kontaktua nga Nacionale, ky shkrim në faqen zyrtare të VV-së në Facebook u ndryshua, dhe u zëvendësua me atë të saktë.
“Kosova bëhet përfituese e programit të BE-së, “Tregu i Përbashkët” që kap vlerën totale të 4.2 miliardë eurove.” – thuhej tani në shkrimin e partisë në pushtet.

Natyrisht, në lidhje me përfitimin e kësaj shifre mediat raportuan, por jo siç dëshiroi partia në pushtet, por ashtu siç qëndronte e vërteta.
Vlen të theksohet se para disa ditësh, deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj derisa po intervistohej nga gazetarja e Nacionales, Anita Nikaj, iu drejtua asaj me fjalët “krejt zi po raportoni”.
Nacionale ndërkohë, në videon e publikuar ilustroi edhe tekstet ku Qeveria është lavdëruar për çështje të ndryshme, derisa opozita ishte kritikuar.
