Lajçak: 24 shtatori s'e ndryshon faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit - NACIONALE

Lajçak: 24 shtatori s'e ndryshon faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje rreth vizitës së përbashkët të pesëshes evropiane në Kosovë dhe Serbi. Në një postim të fundit në Facebook, Lajçak theksoi urgjencën e avancimit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe dënoi ngjarjet e 24 shtatorit duke thënë se presin "bashkëpunim të plotë nga Serbia" për sjelljen para drejtësisë të të gjithë autorëve të sulmit në Banjskë. Ai gjithashtu theksoi se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, e arritur në fillim të këtij viti, mbetet një bazë për dialogun dhe paqen në rajon.

Lidhur me diskutimet në takimet e fundit me liderët e Kosovës dhe Serbisë, emisari bëri të ditur se fokusi ishte avancimi i zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe adresimi i situatës së sigurisë në veri të Kosovës.

"Si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd kemi diskutuar me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti se si të avancohet normalizimi i marrëdhënieve dhe të arrihet progres në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit." - tha Lajçak.

Lajçak theksoi se ngjarjet e 24 shtatorit shënuan një përshkallëzim të ndjeshëm të tensioneve, duke nënvizuar më shumë se kurrë nevojën për de-përshkallëzimin dhe normalizimin.

Ai tha se qëndrojnë të bashkuar në dënimin e sulmeve terroriste, duke theksuar rëndësinë e sjelljes së të gjithë autorëve para drejtësisë.

"Nënvizuam të dy liderët se ngjarjet e 24 shtatorit përbëjnë një përshkallëzim të qartë dhe të paprecedentë, i cili tregon gjithashtu se si de-përshkallëzimi ashtu edhe normalizimi janë tani më urgjente se kurrë. Së bashku me partnerët tanë, ne qëndrojmë të bashkuar në dënimin e sulmeve terroriste dhe theksojmë se të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë, duke pritur bashkëpunim të plotë nga Serbia në këtë drejtim." - tha emisari i BE-ë

Pavarësisht ngjarjeve të fundit, Lajçak theksoi se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, e arritur në fillim të këtij viti, mbetet një bazë për dialogun dhe paqen në rajon.

"Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit në fillim të këtij viti. Në diskutimet tona kemi përcjellë pritjen që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht obligimet e tyre në dialog. Çdo kusht apo vonesë është e papranueshme." - tha ai.

Lajme të ngjashme