Lagja e Muhaxherëve ngushtohet edhe me një ndërtim pa leje: Komuna bëhet kinse s’po e sheh
Lagjes së Muhaxherëve në kryeqytet, më saktësisht rrugës Adrian Krasniqi, po i shtohet edhe një ‘muhaxher’*, domethënë një kat i banimit më shumë. Por jo zakonshëm, siç janë procedurat ligjore, që për një gjë të tillë duhet marrë leje.
I zoti i kësaj shtëpie ka vendosur që këtë ndërtim ta bëjë pa lejen zyrtare të komunës, por vetëm me miratimin e tyre shoqërisht, bëjnë me dije burime të gazetës brenda komunës.
Kjo vërehet edhe në dokumentin e komunës së Prishtinës, ku tregohet për lejet e lëshuara gjatë këtij viti. Asnjë leje ndërtimi e lëshuar, nuk është bërë në këtë lagje të kryeqytetit të Muhaxherëve.
Sipas këtij burimi të gazetës, drejtoria e Inspeksionit është lajmëruar rreth këtij ndërtimi pa leje, por të njëjtit nuk po marrin masa. Madje po koordinohen me punëtorët se kur të punojnë e kur jo, që të mos ballafaqohen me ta.
Banorët e kësaj lagjeje thonë se punëtorë nuk ka vazhdimisht, por herë pas here. Ata thonë se ky ndërtim, përveç që u pengon banorëve në hapësirat e shtëpive të tyre, nuk lejohet sepse është në vijën ndërtimore.
“Është e tmerrshme kjo që po bëhet me këto ndërtime krye më vete, nuk po e bajnë mend që na pengon neve mbrapa shtëpive”, thotë njëri nga banorët.
Ndërsa një tjetër thotë “Mjerë i ligshti, e lum ai i forti”.
Nacionale ka dërguar pyetje te drejtori i Urbanizimit në komunën e Prishtinës, Arbër Sadiki, për ta pyetur se si qëndron puna me këtë ndërtim, por i njëjti ka thënë se do të përgjigjet ndërkohë.
Gjithashtu kemi kontaktuar edhe me drejtorin e Inspekcionit, Florian Dushin, por edhe Dushi tha se do iu njoftojmë ndërkohë.
Gjatë vitit 2022, komuna e Prishtinës ka lëshuar gjithsej 40 leje ndërtimore. Disa nga to janë objekte shumëbanesore me afarizëm, e disa objekte individuale.
Kjo komunë në krye me Përparim Ramën nga LDK, lejen e parë që nga marrja e mandatit e kishte dhënë më 21 janar për dy objekte individuale. Ndërsa të fundit më 26 prill.
Një nga premtimet e kryetarit Rama gjatë fushatës zgjedhore, ishte edhe përshpejtimi i procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje në Prishtinë.
Kujtojmë se drejtoria e Urbanizmit është ajo që lëshon leje të ndërtimit për të gjitha llojet e objekteve, që përcakton ligji në kompetencë të Komunës.
Ndërsa ajo e Inspekcionit ka për detyrë të ndalojë uzurpimin e paligjshëm të trojeve, ndërtesave dhe objekteve të komunës, si dhe të organizojë lirimin e tyre.
Por, siç duket në këtë rast, të dyjat kanë dështuar së zbatuari kompetencat e tyre.
*Fjala muhaxher është përdorur që të krijohet një alegori me ndërtimet pa leje, pa dashur që të fyhet ndonjë person i kësaj lagjeje që e mendon veten si muhaxher ose muhaxhir.
MUHAXHIR m. bised.
- Ai që largohet nga vendbanimi i tij, kur mbetet pa plëng e pa shtëpi (nga një fatkeqësi, nga përndjekjet etj.) dhe që vete në një vend tjetër për të kërkuar strehim e mbrojtje; refugjat. Turmat (karvanët) e muhaxhirëve. Iku si muhaxhir. U bënë muhaxhirë.
- Përd. mb. sipas kuptimit të emrit. Fshatarët muhaxhirë. Gratë muhaxhire.