2.3 milionë euro vlera e tre laboratorëve të drogës të shkatërruar sot nga Policia e Kosovës
Tre laboratorë të drogës janë shkatërruar gjatë ditës së diel në veri të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ku sipas tij vlera e llogaritur e sasisë së lëndës narkotike dhe pajisjeve është rreth 2.3 milionë euro.
“Shkatërrohet dhe laboratori i tretë i drogës. Vlera e llogaritur e sasisë së lëndës narkotike dhe pajisjeve është rreth 2.3 milionë euro. Profili i atyre që e ushtrojnë këtë veprimtari kriminale në veri të vendit tonë është i qartë: Paramilitarë e narkodilera. Këta po i mbron, mbështet dhe kur ju duhet i orkestron Presidenti i Serbisë Vuciq dhe pas tij ministri i mbrojtjes Vuceviq dhe Petkovic.” – ka shkruar Sveçla.
Ai tutje ka bërë të ditur se barrikadat e vendosura gjatë muajit dhjetor në veri të Kosovës, kanë mbrojtur drogën dhe jo qytetarët, kanë mbrojtur grupet e krimit të organizuar dhe jo burrat e gratë të komunitetit serb shtetas të Kosovës.
“Siç kemi thënë barrikadat e vendosura gjatë muajit dhjetor në katër komunat e veriut të vendit në të vërtetë kanë mbrojtur drogën e jo qytetarët. Kanë mbrojtur grupet e krimit të organizuar dhe jo burrat e gratë të komunitetit serb shtetas të Kosovës. Ato kanë mbrojtur vetëm dhe vetëm fijet e krimit që dërgojnë në ndërtesën presidenciale të Serbisë, aty nga ku Vuciq dirigjon klanet kriminale për paratë e trafikut me të cilat më pas sulmon shtetin tonë në emër të të drejtave të qytetarëve. Asnjë qytetari në botë nuk mund të mbrohet nga narkodillerat dhe paramilitarët. Kjo kohë ka marrë fund. E drejta do të triumfojë edhe më herët se sa që e kanë paramenduar.” – ka përfunduar Sveçla.
Ndërsa gjatë ditës, Sveçla kishte dhënë informacione edhe për 2 laborator të drogës të shkatërruar.
Sipas Sveçles, tek laboratori i parë, pronari i tij është arrestuar, kurse bashkëpronari dyshohet se e kishte sulmuar Policinë e Kosovës muajin e kaluar.
“Sot Policia e Kosovës në kuadër të detyrave të saj në zbatim të ligjit, ka identifikuar dhe shkatërruar një laborator droge në Mitrovicë të Veriut me ç’rast është arrestuar pronari i këtij laboratori. Pavarësisht angazhimeve të policisë, kriminelët ende po mendojnë se mund të vazhdojnë me shkeljen e ligjit dhe kundërligjshëm të pasurohen në kurriz të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve. Bashkëpronar i laboratorit tashmë të shkatërruar është personi i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllau i tij. Këto pra janë strukturat kriminale që po i mbrojnë zellshëm Vucic e Petkovic. Çdo tentativë e Serbisë që përmes bandave kriminale të destabilizojë Kosovën është e kotë dhe e dështuar.” – ka shkruar Sveçla.
Ndërsa tek laboratori i dytë i drogës i shkatërruar, Sveçla ka bërë të ditur se edhe një person është arrestuar.
Tutje ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën.
“Edhe një laborator tjetër i zbuluar në veri të vendit, i dyti sot, si dhe edhe një kriminel prapa hekurave. Ju lumtë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.” – ka shkruar ministri i MPB-së.
