Kuvendi publikon një doracak ku një fjalë ngatërrohet me menstruacionet
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka publikuar një dokument ku përdorimi i gabuar i një fjale ia ndërron krejt kuptimin disa fjalive. Në pesë raste, një sinonim i të përmuajshmeve të grave është përdorur krejt pa vend në vend të emrit “gjetje”.
Në dokumentin e titulluar “Doracak për procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, është përdorur gabimisht fjala “të gjeturat”, duke e pasur për qëllim fjalën “gjetje”.
Sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme, emri “të gjeturat” është sinonim i të përmuajshmeve. Kjo fjalë është përdorur në pesë fjali të doracakut të Kuvendit, krejtësisht jashtë kontekstit të dokumentit:
“Pas miratimit të raportit të vlerësimit Ex-Post, raporti dërgohet për njoftim tek komisioni përkatës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të informohet për të gjeturat e vlerësimit.”
“Përfshirja e organizatave të shoqërisë civile edhe palëve të interesit, ndikon edhe në besueshmërinë e të gjeturave dhe rekomandimeve të prezantuara nga Komisioni në përfundim të procesit mbikëqyrës.”
“Raportet dhe të gjeturat nga raportet vendore apo ndërkombëtare”
“Të gjeturat lidhur me zbatimin e ligjit... [Shëno emrin e ligjit]”
“6. Të gjeturat lidhur me zbatimin e ligjit”
Në disa prej këtyre fjalive, kuptimi del madje qesharak, nëse analizohet përdorimi i fjalës “të gjeturat” brenda kontekstit.
Në fund të doracakut janë publikuar emrat e personave që kanë dhënë kontribut në hartimin e tij. Nuk dihet saktësisht se dora e cilit prej tyre e ka ngatërruar fjalën “gjetje” me fjalën “të gjetura”.