Kushtetuesja ia rrëzoi ligjin për çmimin tavan, Hajdari vazhdon me tavanet e naftës
Pikërisht në ditën kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin për Masat e Përkohshme Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimit të produkteve të naftës.
Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Hajdari ka thënë se kanë qëllim të parandalojnë çrregullimin e çmimeve, sidomos gjatë muajve të festave të fundvitit.
“Me këtë vendim, kemi për qëllim parandalimin e çrregullimit në treg me çmimet e naftës, sidomos gjatë muajit të festave të fundvitit, kur bashkëatdhetarët tanë janë të pranishëm në ATDHE, e gjithashtu me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës, si dhe për të mënjanuar çrregullimet tjera në treg.” – ka thënë ajo.
Sipas saj, së fundi është evidentuar mospërshtatje e çmimeve vendore krahasuar me çmimet në tregun botëror.
Tutje, ajo ka treguar edhe detaje të tjera për këtë vendim.
“Me këtë vendim:
- marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër, dhe
- marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.
Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse.
Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.”
