Kush është “për” e kush “kundër” Planit të BE-së?
Ndonëse ishte paralajmëruar se në këtë mandat procesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk do të këtë opozitë destruktive, java e parë pas publikimit të Planit të BE-së po tregon diçka tjetër. Deri me tani vetëm AAK-ja e ka përkrahur dokumentin e pranuar nga Kosova dhe Serbia.
Publikimi zyrtar i Planit të BE-së ka nxitur reagime të ndryshme në skenën politike të Kosovës.
Pas “po”-së zyrtare të kryeministrit Albin Kurti për këtë plan, në Kosova ka filluar të krijohet një masë kritike, e cila dokumentin e BE-së po e konsideron si të dëmshëm për Kosovën. Kjo kritikë po vije edhe nga dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, të cilat për një dekadë e kanë udhëhequr këtë proces.
Deri me tani vetëm partia më e vogël opozitare, AAK, e ka përkrahur Qeverinë e Kosovës për pranimin e planit franko-gjerman.
Pavarësisht kritikave të shumta, kryeministri Albin Kurti ka vazhduar ta mbron qëndrimin se plani është një bazë e mirë për t`i vazhduar diskutimet e mëtejshme.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kurti ka prezantuar argumentet pro planit.
“E para, pranimi i Propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de facto; E dyta, plani kryesor nuk ka asnjë referencë te një Asociacion, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre; dhe E treta, tash, hapi kryesor e ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të Planit të Zbatimit. Aty, qëndrimi im është që Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohet 6-pikëshi apo 6 kushtet, parimet që i kam paraqitur para jush këtu një javë më parë”, ka thënë Kurti.
Në vijë me Kurtin për këtë çështje është edhe lideri AKK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se plani do t`i sjellë Kosova shumë përfitime.
“Kemi konfirmim direkt nga SHBA-ja, se me këtë marrëveshje që do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Për mua, plani franko-gjerman është i pranueshëm, përkrahet nga unë dhe ka të bëjë me komponentët tonë kryesore, ecjen drejt NATO-s”, është shprehur Haradinaj.
I pari i AAK-së iu ka bërë thirrje edhe partive tjera opozitare ta përkrahin marrëveshjen.
PDK dhe LDK kritikuese
Ndryshe nga AAK-ja, PDK-ja dhe LDK-ja kanë filluar të kritikojnë dokumentin. Madje, liderët e këtyre dy partive politike planin e BE-së e kanë cilësuar si shumë të dëmshme për Kosovën.
Në debatin parlamentar që është mbajtur javën e kaluar, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se ky plan nuk i sjell të mira Kosovës.
“Nga situata e para dy vjetëve kur aleatët tanë flisnin për marrëveshje finale me njohje në qendër kryeministri ka përfunduar në një kompromis të rëndë në një marrëveshja të përkohshme me Asociacionin në qendër. Nëse i analizojmë 11 nenet e marrëveshjes vijmë në përfundime dëshpëruese. Do të flisja për secilin nen për të treguar se si besoj se ato do të kthehen në zbatim por duhet të limitohem për shkak të kohës”, ka thënë Krasniqi.
Kritika ndaj dokumentit ka pasur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Dua të flas për dy çështje që ekzistojnë në paralele. Në foltore thotë unë insistojë të ballafaqojë të shkuarën me Serbinë por në tekst thotë për të tejkaluar trashëgiminë e së kaluarës me Serbinë. Në foltore flet ndryshe në tekst thuhet ndryshe. Janë dy gjera të kundërta. Temën që e ngrite the se palëve u është kërkuar të ketë njohje reciproke nga presidentët amerikanë, por pse vendose të përfundosh në paragjykim për çështjet e statusit të vendeve”, ka thënë ai.
Nisma, PSD dhe LB fuqishëm kundër planit
Më të ashpra janë treguar partitë politike jo parlamentare.
Nisma, PSD-ja dhe LB-ja janë pozicionuar kundër planit të BE-së, duke thënë se është i dëmshëm për Kosovën.
Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se dokumenti shënon kthim mbrapa në procesin e dialogut.
“Për veç kësaj, bazuar në pikën 7-të të marrëveshjes, kuptojmë që kryeminstri Albin Kurti ka pranuar që përveç themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të krijojë edhe një mekanizëm shtesë, për siç thuhet. “për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”! Për fund, marrëveshja shënon një kthim domethëns mbrapa për të cilën kryeministri Kurti do të mbahet përgjegjës!”, ka vlerësuar Limaj.
Edhe kryetari i LB-së, Valon Murati, ka vlerësuar se marrëveshje e pranuar i sjell pengesa të shumta Kosovës.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se të drejtat kushtetuese, asociacioni dhe statusi i Kishës Ortodokse Serbe do ta bëjnë Kosovën shtet jonfunksionale!
“Me këtë marrëveshje, e cila nuk zgjidh problemet, por i shtyn për një kohë tjetër, formalizimi i Kishës Ortodokse Serbe, një marrëveshje me të dhe privilegjet për të, së bashku me asociacionin si dhe privilegjet kushtetuese që ka pakica serbe në Kosovë do të krijonin trinomin që do t’i rrinte si gur në qafë funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Ky trinom, do të ishte një Kalë Troje ndaj sovranitetit të brendshëm të republikës sonë.”, ka thënë Murati.
Më i ashpëri në këtë drejtim ka qenë lideri i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Ai ka thënë se kjo marrëveshje duhet të kundërshtohet me protesta.
“Marrëveshja e dakorduar në mes të Kurtit dhe Vuçiqit është dëm i përhershëm për shtetësinë dhe karakterin e saj unitar. Dobësimi i kufirit me Serbinë, heqja dorë nga njohja reciproke ndërmjet dy vendeve dhe pranimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe janë pjesët me të cilat Kurti, me të dyja këmbët e tij, ka shkelur mbi nënshkrimet e 205,000 qytetarëve që nënshkruan peticionin kundër marrëveshjes së Asociacionit. Dhe së dyti, po të njëjtin vullnet që erdhi nga zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit 2021”, ka thënë Molliqaj
Kundërshtimi i opozitës ndaj planit të BE-së, ka nxitur reagimin e aleatëve të Kosovës. Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe ajo e Gjermanisë janë shprehur të shqetësuar me kritikat e PDK-së dhe LDK-së ndaj dokumentit të Bashkimit Evropian.

