LDK e PDK në heshtje pas 'shqetësimit' amerikan, gjerman e francez për qëndrimet e tyre mbi Propozimin Evropian
Deklarimet e dy partive më të mëdha opozitare, LDK e PDK, kundër Propozimit Evropian duke se po shqetësojnë shtetet më të fuqishme mbështetëse të Kosovës.
LDK dhe PDK vazhdimisht kanë kërkuar që Qeveria Kurti të bashkërendohet me ShBA-të dhe miqtë tjerë ndërkombëtarë të Kosovës.
Por, pas publikimit të Propozimit Evropian nga ana e BE-së, këto dy parti shprehën në mënyrë të hapur kritikat e tyre.
Në seancën e 2 shkurtit dhe atë të 2 e 3 marsit, LDK dhe PDK vazhdimisht kërkuan të dinin se ku kishte mbetur njohja reciproke, pse marrëveshja nuk ishte finale, pse kërkohej kapërcimi i trashëgimisë së të kaluarës dhe pse ishte Asociacioni.
ShBA-ja
Me anë të një deklarate nga ana e një zëdhënëseje nga Ambsada e ShBA-ve në Prishtinë, thuheshin këto fjalë: “Jemi të shqetësuar nga deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitar që shprehin kundërshtimin ndaj propozimit të BE-së,”
Pikëpamjet e shprehura thuhej se “nuk përputheshin me mbështetjen e ShBA-së për propozimin,”
Gjermania
Ambasadori gjerman Jorn Rohde foli edhe më gjerësisht për qëndrimet e opozitës.
“Prandaj, dua të shpresoj se opozita do të ketë sjellje konstruktive dhe këtë temë super politike të mos e shfrytëzojnë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vet politike, në mënyrë të veçantë opozita,” – ishte shprehur ai.
Natyrisht, qëndrimi i Rohdes me fjalë të tjera thotë “Mos u bëni si VV-ja në të kaluarën”. Por, a është parimor ky qëndrim?
Franca
Edhe ambasadori francez e përmendi opozitën gjatë ditës së sotme. Ai megjithatë ishte paksa më i relaksuar në qëndrimet e tij:
“Kosova është një vend demokratik dhe është normale që pozita dhe opozita të jenë në kundërshtim për çështje të ndryshme. Ne siç kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës, kërkojmë njëjtë edhe nga opozita që ta shohin çështjen e Asociacionit me një sy ndryshe, ta shohin ‘the big picture’ dhe t’i vlerësojnë përpjekjet që komuniteti internacional po bën për Kosovën dhe Serbinë,”
PDK e LDK në heshtje
PDK-ja dhe LDK-ja deri tash kanë qëndruar përgjithësisht në heshtje në lidhje me këto komente nga ambasadat e shteteve më të fuqishme në Kosovë.
Nacionale ka kontaktuar me të dyja partitë politike, por asnjëra deri më tash nuk ka kthyer përgjigje.
Një përgjigje pak më indirekte e kishte ish-kryeminsitri i vendit Avdullah Hoti, që me anë të një statusi shkruante: “LDK-ja është kundër mashtrimit, e jo kundër partnerëve të shtetit të Kosovës.”
Duhet thënë se megjithëse të dyja partitë opozitare kishin potencuar (sic) të këqijat e Propozimit Evropian asnjëra në mënyrë eksplicite nuk i kanë kërkuar kryeminsitrit Kurti që ta refuzojë atë.

