Pikëpyetja e madhe e Lumir Abdixhikut - NACIONALE

Pikëpyetja e madhe e Lumir Abdixhikut

3 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Edhe pse lider ende i ri, për shkak të rrethanave në të cilat është katandisur Kosova, Lumir Abdixhiku ndodhet para një sprove të madhe që mund t’i përcaktojë të ardhmen politike. Aktualisht, ai po bën shpurdhje të forta duke treguar guximin e tij. Por, koha po i kërkon veprime e lëvizje.

Kryetari i LDK-së me shumë të drejtë po e kritikon kryeministrin Kurti për degradimin katastrofal të pozitës së Kosovës në dialogun me Serbinë. Por, derisa e formulon atë kritikë, ai po shpreh qëndrim edhe për planin franko-gjerman. Pra, ai nuk po ndalet thjesht në përsëritjen tashmë të dhimbshme të qëndrimeve të shkelura të kryeministrit. Po shkon më tej. Po e merr planin franko-gjerman dhe me të këqijat e atij plani po i qepon në krye Kurtit.

Por, megjithatë kritika e tij edhe pse nuk ndalet në qëndrimet e shkelura të Kurtit vazhdon të ndalet në një pikë më kruciale. Nga ajo që kam dëgjuar prej tij, është më se e qartë se edhe për kryetarin e LDK-së plani franko-gjerman është shumë i dëmshëm. Nuk e jep njohjen që e pritëm tash e 15 vjet dhe nuk e përmbyll problemin me Serbinë, përkundrazi edhe formalisht e zgjat për të paktën edhe një dekadë tjetër. Kjo dekadë tjetër është një bast i madh, sepse rrethanat gjeopolitike po i shohim me sy të lirë teksa ndryshojnë e rrethanat e brendshme veçse po prishen pandreqshëm. Pra, e dimë që Kosova i humbi 6-7 vitet e kaluara me bllokada që na sollën në pozitën aktuale. Edhe 10 vjet tjera, mund të jenë totalisht dërmuese.

Abdixhiku qartazi e kupton se sa i dëmshëm është ky plan. Është e vërtetë se Kurti e ka fajin kryesor dhe duhet sulmuar por një lider serioz nuk bëhet i tillë duke shprehur qëndrime vetëm duke gjykuar individë të caktuar. E kam shprehur edhe më herët kritikën në lidhje me qëndrimet gjysmake të opozitës. Abdixhiku është thjesht një trashëgimtar fatkeq i këtyre qëndrimeve gjysmake. Është një traditë e ndërtuar nga një kornizim arbitrar i të vërtetave politike bazuar në subordinim ndaj faktorëve ndërkombëtar. Mirëpo, tash është koha të shpërfillet kjo traditë e të formulohen qëndrime të plota. Nesër e pasnesër, mund të jetë shumë shumë vonë.

Abdixhiku e mban mend mirë idenë e korrigjimit të kufijve/shkëmbimit territorial. Ajo do ta ndante Kosovën dhe përfundimisht do ta ngurtësonte ndasinë etnike duke i rrezikuar themelet e shtetit. A duhej që të mbesnim gjysmakë në qëndrime edhe asokohe vetëm për shkak të ShBA-së dhe faktorëve tjerë ndërkombëtarë që mbështesnin idenë? Jo, duhej kundërshtuar. Ashtu siç duhet kundërshtuar edhe sot. Nëse kryetari i LDK-së beson që nuk duhet ndërmarrë rrezikun tash, kur ende është i ri në politikë, atëherë le ta pyes veten: çka i ndodhi kundërshtarit më të madh të Zajednicës e të shkëmbimit të territoreve? Ai është sot në pushtet. Çka i ndodhi ndërkohë, njerëzve që kishin gjithnjë vetëm qëndrime gjysmake për çështjet e rëndësishme? Disa janë në burg, e të tjerë janë në shtëpitë e tyre jashtë politikës.

Është e qartë se Kosova është tradhtuar. Qoftë nga një njeri i vetëm. Qoftë nga disa. Qoftë nga rrethana të paparashikuara. Por, është tradhtuar. Dhe nëse nuk ia dalim që ta formulojmë qoftë edhe një qëndrim koherent politik në këtë kohë, nëse nuk arrijmë ta ndërtojmë asnjë pikë të vetme rezistence, atëherë çka na pret në dekadën e re të negociatave? Pa Albin Kurtin në opozitë dhe me një Albin Kurt të papërgjegjshëm si pushtetar, na presin koncesione dërmuese shtesë deri në pikën kur të heqim dorë përfundimisht nga shtetësia e Kosovës.

Aktualisht ka një ndrydhje të madhe gjithandej në Kosovë që të mos shprehet ajo çka të gjithë e mendojnë për këtë farë plani. Kjo ndrydhje nuk mund të hiqet nga askush tjetër përpos Abdixhikut, që veçse edhe po tregohet më i guximshmi. Mirëpo, vetëm guximi për të shpurdhur nuk mjafton. Ai duhet të jetë i gatshëm të vizatojë para popullit të Kosovës të këqijat e këtij plani dhe ta kundërshtojë atë. E di se aleanca me ShBA-të është e shenjtë, dhe do të jetë e shenjtë. Por, është dhe ishte më e shenjtë gjithnjë shtetësia e Kosovës që aktualisht është në rrezik.

Lajme të ngjashme