Ambasadori francez: Edhe Qeveria edhe Opozita ta shohin me sy ndryshe Asociacionin
Olivier Guerot, ambasadori francez në Kosovë, ka disa porosi për Qeverinë e Kosovës por edhe për opozitën sa i përket çështjes së Asociacionit. Ambasadori ka thënë se kjo punë, nga politika kosovare duhet të shihet me sy ndryshe.
“Kosova është një vend demokratik dhe është normale që pozita dhe opozita të jenë në kundërshtim për çështje të ndryshme. Ne siç kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës, kërkojmë njëjtë edhe nga opozita që ta shohin çështjen e Asociacionit me një sy ndryshe, ta shohin ‘the big picture’ dhe t’i vlerësojnë përpjekjet që komuniteti internacional po bën për Kosovën dhe Serbinë”- ka thënë Guerot.
Tutje ai është shprehur se shpreson që palët të pajtohen për një marrëveshje finale.
“Shpresojmë që do të ketë një marrëveshje, por nuk më takon mua të them nëse Serbia do ta nënshkruajë apo jo atë, kjo është detyra e ekipit të Lajçakut dhe dy partive që negociojnë”. “E rëndësishme për ne është që të ketë vullnet politik dhe ne po mundohemi vazhdimisht t’i nxisim të dyja vendet që ta tregojnë fleksibilitetin e tyre dhe ta pranojnë planin”, tha ai.