'Dora' e Dorës: Kush është grekja që do të raportojë për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës?
Theodora Bakoyannis, deputetja greke e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është zgjedhur raportuese për aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshllin e Evropës. Ky vendim është marrë të martën në Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me bazë në Strasburg të Francës. Kush është ajo?
Kosova po vazhdon me hapa drejt pranimit të plotë në Këshillin e Evropës.
Të martën më 21 qershor, Theodora Bakoyannis është emëruar si raportuese për kërkesën e Kosovës për anëtarësim.
Sipas rregullores, Bakoyanis ka dy vjet kohë për të përgatitur një raport për përmbushjen e kërkesave të Kosovës, të cilin më pas do t'ia dërgojë komisionit kompetent për diskutim dhe miratim.
Ndërkohë në Këshillin e Evropës po qëndron edhe një delegacion nga Kosova i përbërë nga deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Delegacioni i Kosovës përbëhet nga Besnik Tahiri (AAK), Arben Gashi (LDK) dhe Ariana Musliu-Shoshi (PDK).
Kush është Theodora Bakoyannis?
Theodora Bakoyannis (69 vjeçare) është deputete nga Greqia dhe në Këshillin e Evropës është pjesë e grupit politik EPP (Partia Popullore Evropiane).
Para një viti ajo ishte emëruar raportuese e Këshillit të Evropës për Kosovën.
Në atë kohë ajo kishte thënë se “është koha që i gjithë rajoni, përfshirë edhe Kosovën, të integrohet në BE dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë”.
Më tej, ka edhe një karrier të bujshme në politikën greke.
Bakoyannis gjatë vitit 1992-93 kishte qenë ministre e Kulturës.
Gjithashtu ajo ishte kryetarja e parë grua e komunës së Athinës.
Po ashtu, ajo ishte gruaja e parë që u emëruar si ministre e Jashtme e Greqisë, që ishte posti më i lartë i mbajtur ndonjëherë në Greqi nga një grua.
Rruga e Kosovës për KiE
Kosova më 12 maj të vitit 2022 kishte aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ndërkohëm më 24 prill të vitit 2023, aplikimi i Kosovës ishte pranuar me shumicë votash edhe pse kjo rrugë deri këtu nuk ishte aspak e lehtë.
Pranimi i aplikimit të Kosovës u votua me 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.
Udhëheqësit e vendit kishin falënderuar shtetet që kishin votuar e ndihmuar Kosovën drejt kësaj rruge.
Çka është Këshilli i Evropës?
Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër politike në Evropë. E themeluar më 5 maj të vitit 1949, Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.
Deri më tani KE-ja përfshin 46 shtete anëtare, 28 prej të cilave janë anëtare të Bashkimit Evropian.
Organizata mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e organizimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave.
Ka ndërmarrë fushata për çështje të tilla si për mbrojtjen e fëmijëve, gjuhën e urrejtjes online dhe të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë pakicën më të madhe në Evropë.
Anëtarësimi në këtë organizatë do t’i sillte Kosovës përfitime në disa fusha, duke përfshirë aspektin politik, juridik dhe ekonomik.
Fillimisht, bërja pjesë e këshillit do të ndikonte në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.




