Me mbi 2/3 e votave kalon në fazën tjetër aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, njofton Gërvalla - NACIONALE

Me mbi 2/3 e votave kalon në fazën tjetër aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, njofton Gërvalla

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka kaluar faza e parë e shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, njoftoi Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila po qëndron në Strasburg të Francës. Me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në profilin e saj në Facebook, derisa shtoi edhe se mbetet ende punë e madhe për t’u bërë në këtë drejtim.

“Falënderoj nga zemra të gjithë ata që na mbështetën në rrugën tonë deri këtu. Një falënderim i posaçëm iu shkon të gjithë atyre shteteve, të cilat edhe pse nuk e kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës, nuk e kanë bllokuar anëtarësimin tonë. Nuk mund të lë pa falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përsëri dëshmuan të jenë aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, dhe të cilat na mbështetën fuqishëm në dialogun tonë me një numër të madh të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës”, shkroi ajo.

Njofitmin e dha edhe zëvendës ministri i jashtëm, Kreshnik Ahmeti, i cili tha se faza e parë "kaloi me sukes".

Para pak minutash, Komiteti i Ministrave, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, votoi në favor të pranimit të aplikimit të Republikës së Kosovës në KE dhe kërkoi opinionin e Asamblesë Parlamentare (APKiE) mbi këtë aplikim.

Lajmi në përditësim...

Lajme të ngjashme