Kurtit kërkonte kaherë "më shumë trupa të KFOR-it" në Kosovë, pas 700 trupave turke NATO dërgon edhe më shumë - NACIONALE

Kurtit kërkonte kaherë "më shumë trupa të KFOR-it" në Kosovë, pas 700 trupave turke NATO dërgon edhe më shumë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka qenë kërkesë e kahershme e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të shtohet numri i forcave paqembajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR). Pas trazirave të majit me rastin e instalimit të kryetarëve shqiptarë legalë (ndonëse jolegjitimë) në komunat veriore të banuara me shumicë serbe kjo kërkesë iu plotësua kur një kontigjent prej 700 trupash turkë shtesë u dërguan në Kosovë, ndërkaq vetëm sot NATO njoftoi se ka miratuar vendimin për të dërguar “trupa shtesë” të tjerë në Kosovë; ndonëse nuk është specifikuar në numër se sa saktësisht. Para ardhjes së kontigjentit shtesë turk, prania e KFOR-it numëronte 3 mijë e 500 pjesëtar, ndërkaq tash rreth 4 mijë e 200.

Në një mbledhje të NATO-s këtë të premte shtetet anëtare të saj, siç u tha në njoftim, u shprehën tejet të shqetësuar për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës; kjo referuar sulmit terrorist që ngjau më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zvçeanit, ku rreth 30 pjesëtarë militarë të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë rreshterin kosovar, Afrim Bunjaku.

"Që nga maji e kemi shtuar praninë e KFOR-it. Dje, më 28 shtator, Këshilli i Atlantikut të Veriut miratoi forca shtesë për zgjidhjen e situatës aktuale", thekson deklarata, por nuk specifikon se sa forca shtesë janë miratuar.

"Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht t'i ulin tensionet. Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si e vetmja mënyrë për t'i zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi i sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit në rajon”, thuhet po ashtu në deklaratë.

NATO u shpreh në njoftim se misioni i saj paqembajtës “vazhdon të mbaë prani të dukshme dhe të shkathët” në Kosovës dhe se funksionin e tyre si operator sigurie “e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë”.

Hiç më larg se dje, në mënyrë tejet kontraverze, ishte vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai që kërkoi që “KFOR-i të marrë nën kontroll veriun e Kosovës” pas ngjarjeve tragjike dhe sulmit terrorist ndaj shtetit kosovar. Rama edhe qysh në maj i kishte rënë borisë së paralajmërimit se veriu i Kosovës, në rast se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të vazhdonte me kursin e tij, “po shkon drejt shndërrimit në një Republikë të KFOR-it”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për sa kohë ishte opozitar shprehej me zjarm se KFOR “nuk e mbron pavarësinë e Kosovës” por “Rezolutën 12/44” të vitit 1999, Rezolutë kjo e cila përdoret ende nga Serbia për të vazhduar iluzionin se gjoja “Kosova është pjesë integrale e Serbisë”; si dhe Rezolutë e cila ende nuk është zhbërë në Këshill të Sigurimit ku edhe është miratuar në vitin 1999 për shkak të vetos së Federatës Ruse dhe Kinës, të cilët janë dy prej pesë Anëtarëve të Përherhshëm të KS OKB-së.

Serbia ka provuar të heq nga vetja lidhjen me sulmin terrorist të udhëhequr nga Nënkryetari i Listës Serbe (parti kjo degë e SNS-së së Aleksandar Vuçiq-it) ku ka kërkuar që KFOR-i të merrë përgjegjësinë në veri, ndonëse KFOR-i është vetëm reagues i tretë, pas EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Të dielen rreth ngjarjeve tragjike në veri, KFOR në një komunikatë për media tha se “po e vëzhgon nga afër” situatën që po zhvillohej në përleshje të ashpra, por shtoi se “Policia e Kosovës është reaguesi i parë” dhe se “është përgjegjësi e policisë të menaxhojë incidentin”. Megjithatë, KFOR u shpreh se janë “të gatshëm” të ndërhyjnë po qe se një gjë e tillë kërkohet.

Këtë qëndrim të KFOR-it, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçqi dhe Kryeministrja e Sebrisë, Ana Brnabiq, e quajtën “carte blanche”, përkatësisht “kartën e gjelbërt” ose “bekimin” për, siç thanë ata, “të vrasin të gjithë”.

Lajme të ngjashme