Kurti takoi në Zvicër lobistin kontrovers me shumë klientë rus, i dyshuar për lidhje edhe me Roman Putinin - NACIONALE

Kurti takoi në Zvicër lobistin kontrovers me shumë klientë rus, i dyshuar për lidhje edhe me Roman Putinin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës ka organizuar një samit të investitorëve në Cyrih të Zvicrës gjatë ditës së djeshme, dhe një nga pjesëmarrësit del të jetë... njeri me shumë klientë rus por i dyshuar një kohë edhe për lidhje me kushëririn e despotit rus Vladimir Putin.

Kryeministri Kurti ishte i pranishëm në këtë samit dhe mbajti edhe fjalim në një panel. Aty ai shihet i ulur pikërisht pranë njeriut të lartpërmendur që mban emrin Thomas Borer, një lobist dhe ish-diplomat kontrovers zviceran.

Samiti

Bashkë me Kurtin në këtë samit ishin edhe ministrja Artane Rizvanolli, këshilltari Lulëzon Jagxhiu dhe shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi.

Kurti tha se para më shumë se 60 ndërmarrësve nga fusha të ndryshme ka prezantuar “mundësitë që ofron Republika e Kosovës për investitorët dhe investimet e huaja.”

Por, ky shkrim i Kurtit i shpërndarë në Facebook ishte pazakonshëm i shkurtër në raport me shkrimet e tjera ku ai ndan ngjarje të tilla: vetëm tri fjali.

Sidoqoftë, fotografitë zbuluan praninë e z. Borer. Ai nga Qeveria e Kosovës u prezantua si “Dr. Thomas Borer – Themelues/Partner menaxhues i Dr. Borer Consulting”.

Boreri

Por, disa gazeta zvicerane kanë bërë artikuj mjaft rëndues ndaj këtij personazhi të çuditshëm.

Aargauerzeitung shkruante se lobisti Borer kishte bërë lobim për ekstradimin e kundërshtarit të regjimit autoritar në Kazakistan që quhej Viktor Khrapunov ndaj autoriteteve zvicerane.

Ndërkohë, sipas gazetës tjetër “Neue Zürcher Zeitung”, Borer madje edhe mund t’i kishte dhënë qasje ish-republikës sovjetike në informacione konfidenciale nga zyra e prokurorit federal.

Ndërkohë, një tjetër veprim i çuditshëm që e lidhte Borerin kishte ndodhur nga një person me emrin Roman Putin. Ai kishte njoftuar se e kishte themeluar një firmë konsulente të quajtur “Putin Consulting Limited”. Kjo kompani ofronte mundësi për investitorët që të hynin në tregun rus derisa thoshte se kishte “lidhje të forta” me lidershipin e vendit.

Klienti i parë ishte pikërisht Boreri që ndodhej pranë kryeministrit Kurti gjatë ditës së djeshme.

Sipas mediave të ndryshme ruse, ai është i biri i biznesmenit Igor Putin – kushëriri i despotit rus Vladimir Putin.

Borer më pas e kishte mohuar se ishte klient i Roman Putinit. Megjithatë, ai ishte klient i shumë rusëve tjerë të njohur megjithëse sot mbështet politikën e sanksioneve të Zvicrës kundër Rusisë sipas Financial Times.

Lajme të ngjashme