Kurti: Sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës po vijnë nga Serbia
Uniforma e Policisë së Kosovës reflekton sigurinë e qytetarëve brenda shtetit. Por, veshësi i saj mund edhe të mos kthehet i gjallë pasi t’ia mësyjë veriut për ta ushtruar detyrën zyrtare.
Oficerët e Policisë së Kosovës, u sulmuan sot me breshëri plumbash të kallashnikovit dhe granatë dore. Fatmirësisht nuk pati të vdekur, as të plagosur.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, këtë sulm e vlerësoi si akt terrorist. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi erdhi nga Serbia.
“Për tri ditë rresht (13 -15 prill), oficerët e policisë së Kosovës janë sulmuar në pikëkalimin kufitar me Serbinë. Dje dhe sot në mëngjes breshëri plumbash dhe një granatë dorë është hedhur në drejtim të policisë. Burimet tona kanë identifikuar se sulmet e djeshme vijnë nga Serbia”, ka shkruar Kurti.
Tutje, Kurti i bëri thirrje Serbisë që të distancohet nga këto sulme terroriste, ku viktima nën uniformën e Policisë së Kosovës pati edhe serbë.
“Kjo as nuk do të na pengojë dhe as nuk do të na ndalojë nga lufta jonë për të mbrojtur shtetin ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë territorin e Republikës sonë. I bëj thirrje Serbisë që të dënojë dhe distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve ishin serbë të Kosovës”, ka shkruar ai.
KATËR SULME PËR TRI DITË
Për tri ditë, katër sulme të armatosura kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e vendit. Për t’i kryer këto sulme u përdorën duke nisur nga iriqët metalikë, automatikët AK-47, granatat e dorës, e armë të tjera. Të gjitha këto detaje i zbardhën në një konferencë për media drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla.
Sulmi i parë – u vendosën iriqa metalikë në rrugën nacionale me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës, në pika kufitare.
Sulmi i dytë – gjuajtje me gurë në drejtim të veturës së Policisë së Kosovës.
Sulmi i tretë – në afërsi të punktit policor që bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale për kontrabandë, është gjuajtur me armë zjarri.
Sulmi i katërt – dy vetura të policisë janë qëlluar me armë zjarri e granata dore, përderisa po transportoheshin zyrtarët policorë për në pikat kufitare.
Megjithatë, ministri Sveçla ka thënë se qëllimi i Serbisë nuk është ta sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë. Por, ai shtoi se Kosova është e përgatitur për çfarëdo skenari.
REAGIMET
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, në orët e hershme të 15 prillit.
“Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe përdorimi i forcës kundër zyrtarëve është i papranueshëm.”
Zyra e bllokut evropian në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet.
I pari që reagoi ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se këto sulme duhet t’i shqetësojnë të gjithë.
“Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës. Këto akte kriminale janë alarm për të gjithë. Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin. Të distancohemi nga dhuna e nga krimi, e të bashkohemi në luftën e pakompromis ndaj tij”, ka shkruar Haradinaj.
Një reagim ironizues e pati edhe analisti Blerim Latifi.
“Katër sulme të armatosura mbi policinë e Kosovës në kufirin verior me Serbinë brenda tri ditësh. Informatat thonë se sulmuesit kanë shtënë nga territori serb, por, siç do të thoshte Edi Rama, s'ka nevojë për shqetësim, sepse edhe këto sulme duhet të shihen në kuadër të vetëmbrojtjes së Serbisë”, ka shkruar Latifi.