Kurti: Serbia shkeli marrëveshjen e 2013-ës, por s'mund ta ndalë asnjëherë integrimin e Kosovës në BE - NACIONALE

Kurti: Serbia shkeli marrëveshjen e 2013-ës, por s'mund ta ndalë asnjëherë integrimin e Kosovës në BE

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, para pak çastesh ka reaguar lidhur me angazhimin e Serbisë për bllokimin e proceseve integruese të Kosovës.

Sipas tij, kjo është e ndaluar dhe se me këtë akt Serbia po e shkel marrëveshjen e vitit 2013 (Thaçi - Vuçiq), të arritur në Bruksel.

Përveç kësaj, kreu i qeverisë falënderoi zyrtarët shtetërorë që ndihmuan në përgatitjen e këtij procesi dhe për zbatimin e reformave paraprake.

"Procesi që filloi me dorëzimin e aplikimit zyrtar më 15 dhjetor në Pragë, në kuadër të Presidencës Çeke, do të vazhdojë me punën tonë dhe bashkëpunimin me partnerët e miqtë tanë. Një falenderim i veçantë për të gjithë zyrtarët shtetëror që ndihmuan në përgatitjen e këtij procesi dhe për zbatimin e reformave paraprake mbi të cilat e dëshmuam progresin tonë politik, ekonomik e juridik. I falenderoj të gjithë ata zyrtarë ndërkombëtar që reaguan në mbështetje të aplikimit tonë, dhe që po vazhdojnë të na mbështesin në këtë rrugëtim", tha fillimisht shefi i ekzeutivit.

Përkundër këtij angazhimi anti-Kosovë, kryeministri mendon se Serbia asnjëherë nuk do t'ia dalë ta bllokojë rrugëtimin e vendit tonë drejt BE-së.

Në pjesën e fundit, ai shtoi se pika 14 e Marrëveshjes së Brukselit është e vetmja me vlerë për të, sepse e njëjta siguron të ardhme demokratike, liberale e paqedashëse për të dyja shtetet në BE.

"Presidenti dhe Qeveria e Serbisë, mbetën të vetmuar në kundërshtimin e aplikimit zyrtar të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE. Duke i dërguar letra shteteve anëtare të BE-së, që t’i nxisin për të kundërshtuar aplikimin tonë për anëtarësim në BE, Vučić-i po e shkel hapur dhe egërsisht marrëveshjen e tij të dashur të vitit 2013 (Marrëveshja Thaçi-Daçiq, 19 prill 2013) e cila në pikën 14 parashihte heqjen dorë nga kundërshtimi dhe pengimi i anëtarësimit të Kosovës në BE. Për mua e vetmja pikë me vlerë në atë marrëveshje është pika 14, sepse vetëm ajo siguron të ardhme demokratike, liberale e paqedashëse për të dyja shtetet në BE. Pikërisht për shkak të përmbajtjes së tillë, Serbia po e shkel kaq hapur një obligim të tillë".

Më poshtë edhe postimi i plotë:

Aplikimi

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, gjashtë ditë më parë, pra me 14 dhjetor, kishin nënshkruar edhe zyrtarisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, teksa të nesërmen Kurti e kishte dorëzuar në Pragë.

Në ceremoninë e nënshkrimit, krerët më të lartë shtetërorë kanë thënë se ky është një hap historik për Republikën e Kosovës, por nuk kanë folur shumë sfidat që do t`i këtë Kosova në këtë rrugëtim të gjatë.

Sot është një ditë historike. Është moment historik. 14 dhjetori ka rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës. Përveç aplikimit për anëtarësim, sot është edhe përvjetori i themelimit të Ushtrisë. Këto dy akte shkojnë në drejtim të vizionit tonë euroatlantik”, kishte shtuar Osmani.

Sipas saj, ky veprim ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e Kosovës.

Në emër të Kosovës, po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës. Për të sjell vendin tonë një hap më afër BE-së. Për Kosovën, nuk ka pas alternativë tjetër. Në vigjilje të 15-vjetorit të Pavarësisë, ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve, ata që luftuan për liri”, thoshte ndër të tjerash e parja e vendit.

Lajme të ngjashme