Kurti s’e pranoi propozimin e Ekipit Menaxhues: ShBA, BE-ja dhe Britanikët kërkojnë “mesin e artë” për Asociacionin - NACIONALE

Kurti s’e pranoi propozimin e Ekipit Menaxhues: ShBA, BE-ja dhe Britanikët kërkojnë “mesin e artë” për Asociacionin

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

ShBA, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe zgjidhjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e kërkojnë në "mesin" e propozimeve të Serbisë dhe Kosovës, teksa zyrtarët kosovarë insistojnë se një gjë e tillë “e çon Kosovën drejt shkatërrimit". Nga qeveria Kurti thonë se propozimi i Ekipit Menaxhues ka qenë fundamentalisht i papranueshëm.

Ekipi menaxhues ka pasur karakter teknik, ndërkaq që tashmë procesi është në nivel politik. Ai është liruar nga detyra, meqenëse nuk ka më asnjë funksion. Propozimi i tyre për ne ka qenë fundamentalisht i papranueshëm. Si rezultat ne nuk kemi mundur dhe nuk mund të rrugëtojmë bashkë me ta drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjet Bazike, i cila duhet të jetë synimi kryesor”, ka thënë zëdhënesi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për gazetën Blic.

Aleatet

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka vlerësuar si serioze vizionet e palës kosovare dhe asaj serbe për Asoiacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se pret nga të dy palët që t’i përafrojnë propozimet e tyre.

Mendoj se është serioz (drafti i Kurtit), por edhe ai i prezantuar nga ekipi menaxhues është po ashtu serioz

Detaje të rëndësishme janë diskutuar dhe tani është në dorë të kryenegociatorëve për të ecur përpara dhe të fillojnë të vijnë me një statut funksional. Pritjet tona janë që brenda dy javëve të ardhshme, kryenegociatorët të takohet dhe të diskutojnë këtë proces përsëri”, tha Escobar në një konferëncë për media.

Edhe, i dërguari special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Sebisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se draft-statuti për Asociacionin i propozuar nga Ekipi Menaxhues, ka qenë vetë një pikënisje për Asociacionin.

“Palët poashtu e ndërmorën një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Megjithëse drafti i parë i prezantuar nga ekipi menaxhues nuk është final, është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet në vijim në nivelin e kryenegociatorëve,”ka thënë z. Lajçak.

E sot një qëndrim të ngjashëm më emisarët e kishte edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, i cili tha se tash është koha që Kosova ta propozojë formalisht draft-statutin për Asociacionin.

Me anë të një postimi në Facebook, Abbott ka thënë se ky draft-statut duhet të bëhet duke u mbështetur në vizionin e kryeministri, Albin Kurti, të cilin e ka paraqitur më 2 maj në takimin në Bruksel.

Në këtë javë do të ketë shumë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, përfshirë drejtorin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor. Aleatët e Kosovës duan që të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Prandaj, tani është koha që Kosova të propozojë formalisht një draft-statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, duke e shfrytëzuar si themel vizionin e vendosur nga kryeministri javën e kaluar, në vijë me kriteret e përcaktuara nga BE-ja.” – ka shkruar Abbott.

Mesi jo i Artë

Politologu Shkodran Ramadani e sheh si negative nëse zgjidhja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe kërkohet në mesin e propozimeve të Serbisë dhe Kosovës.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ramadani tha se zgjidhja për Asociacionin duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykates Kushtetuese.

Ne rast se zgjidhja kërkohet në mesin e propozimeve të Serbisë dhe Kosovës, ky është shumë lajm i keq për ne. Logjika e Asociacionit është dashur të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e jo përmes gjetjës se "Mesit të Artë" mes pozicioneve të Kosovës dhe Serbisë. Kjo për shkak që qëndrimi esktrem i Serbisë e prodhon një "mes" shumë larg pozicionit të Kosovës. Shqetësuese është se ky është vizioni i BE-së, që me pikën 11 të Marrëveshjes së Ohrit e ka fjalën e fundit në interpretimin e implementimit të marrëveshjes. Thënë thjesht, kjo qeveri tash e ka futur Kosovën në një pozicion shumë të vështirë”, tha Ramadani.

Lajme të ngjashme