Poshtë propozimi: Qysh po e kundërshton VV-ja draft-statutin për Asociacionin të cilën Lajçak e quajti pikënisje? - NACIONALE

Poshtë propozimi: Qysh po e kundërshton VV-ja draft-statutin për Asociacionin të cilën Lajçak e quajti pikënisje?

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Përplasja mes zyrtarëve kosovarë dhe atyre të Bashkimit Evropian po vazhdon pas vendimit të qeverisë së Kosovës, për ta shpërbërë Ekipin Menaxhues që hartoi draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Me konkretisht, Lëvizja Vetëvendosje e ka kthyer “shpatën” në drejtim të emisarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Javën e kaluar, Kosova ishte kritikuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për shkarkimin e Ekipit Menaxhues.

“Vendimi për shpërbërjen e ekipit menaxhues, shkel përmbajtjen dhe frymën e marrëveshjeve dinamike, dhe çdo vendim në lidhje me Ekipin Menaxhues duhet të miratohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, u shpreh Stano.

Zyrtarët shtetëror

Së pari foli kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili i reagoi emisarit të BE-së pasi Lajçak, të hënën tha se draft-statuti për Asociacionin i propozuar nga Ekipi Menaxhues, ka qenë vetë një pikënisje dhe se negociatat duhet ta vazhdojnë.

Konjufca, në një konferencë për media, tha se ky draft-statut është anti-kushtetues dhe se është bërë me urdhër të Serbisë dhe presidentit të saj për krijimin e një republike serbe brenda Kosovës.

“Statuti që ata e prezantuan ishte sipas urdhrit të Serbisë dhe presidentit Vuçiq. Ishte statut me një përpjekje për me kriju republikë serbe brenda Kosovës dhe kjo është anti -kushtuese. Dhe unë mendoj që kurrfarë pozicioni anti-kushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës”, tha Konjufca.

“Nëse BE nuk mendon se zgjidhja duhet kërkuar brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj se Kosova nuk ka çfarë kërkon në atë dialog më”, tha Konjufca.

Ndërsa, Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje u tregua i ashpër ndaj emisarit evropian.

“Teoria e Lajcakut shumë e thjeshtë, ai po do një qëndrim kushtetues dhe një jokushtetues të arrijnë mes, thuajse kushtetutshmëria është mes aritmetik. Apo edhe më tutje, një përfaqësues që do zgjidhje mes kartës së Këshillit të Evropës dhe Republika Srpskas në Bosnjë, një kompromis mes vlerave të BE-së dhe Dodikut të Putinit e Vuciqit. Pra, vlerat evropiane vs vlerat proruse”, ka shkruar Muja në Facebook.

Tutje, edhe ai ka kërkuar që propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të jëtë në përputhje me Kushtetuten e Kosovës.

“Për Republikën e Kosovës gjërat janë të qarta, ne jemi me vlerat evropiane dhe rregullat janë përbrenda Kushtetutës së Kosovës. Të drejtat nuk janë mes artimetik mes të mirës dhe të keqes”, ka shkruar ai.

Por, një qëndrim të ngjashëm me emisarin Lajçak e kishte edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, i cili tha se zgjidhja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është në “mesin” e dy vizioneve. Komente të cilat zytarët e lartëcekur vendosën të mos i komentojnë.

Letra e Mogherinit

Analisti, Gazmir Raci, në një përgjigje për gazetën Nacionale tha se draft-statusi i propozuar nga Ekipi Menaxhues nuk është në harmoni më marrëveshjen e 2013 dhe 2015-tës.

“Ai draft nuk është në harmoni me marrëveshjen e 2013, 2015 dhe aktgjykimin e GJK-së, sepse ka kompetenca që kalojnë përgjegjësitë edhe të vetë komunave me shumicë serbeLetra e Mogherinit për Kosovën e vitit 2015-të e definon qartë që nuk do të jetë pushtet i tretë dhe nuk do ketë as kompetenca ekzekutive”, tha Raci për Nacionalen.

Më tej, Raci sheh një rrezik nga një propozimi i Ekipit-Menachues për Asociacionin, duke paralajmëruar ndarjën e Kosovës.

“Kosova ofron garanci për pakicat që asnjë shtet tjetër në rajon nuk i ofron, gjithashtu, Kosova ishte e gatshme që të ndjek modelin kroat pasiqë Kroacia është edhe anëtare e BE e poashtu edhe kontekstin politik e kemi të ngjashëm. Une nuk shoh politikanë në Kosovë që mund t’ia dhurojë Kosovës një Republika Srpska. Andaj asociacioni një etnik e demolon ketë shoqëri multietnike me dy nivele të qeverisjes që ka Kosova (nacionale dhe lokale). Serbia ka ambicie territoriale ndaj Kosovës andaj edhe ai dokumenti që tashmë është null ishte në atë drejtim që t’i grumbullojë komunat me shumicë serbe rreth asocionit dhe me vonë të kalojë në shkallë edhe të shkëputjes, andaj kjo shoqëri nuk ka mundësi të bejë me shumë se sa që kemi ofruar me Ahtisarin por edhe me marrëveshjet e Brukselit që nga viti 2011-të”, tha Raci.

Lajme të ngjashme