Kurti: Për planin franko-gjerman kam thënë po në parim, s'ka marrëveshje pa bisedime
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka regjistruar një tjetër paraqitje televizive dhe sërish për një media jashtë kufijve të Kosovës. Kësaj radhe megjithatë shqiptare.
Në Opinion me Blendi Fevziun, shefi i ekzekutivit kosovar shpalosi detaje nga 'zbarkimi' i emisarëve perëndimorë, pranimin e planit franko-gjerman, përmbajtjen, raportet me Ramën dhe ato me mediat kosovare.
Fillimisht, ai pohoi faktin se emisarët perëndimorë, pra ata evropianë dhe amerikanë, me datën 20 të muajit të kaluar i kanë shkuar në zyre me propozimin merre ose lëre.
Në anën tjetër, ai ripërsëriti ato që i kishte potencuar edhe më parë, duke shtuar se plani ka përmbajtje të mirë, pra bazë për të vazhduar tutje, por vlerësoi se nuk do të ketë marrëveshje pa diskutime.
Ende nuk ka datë për një takim të ardhshëm në Bruksel, ndërsa ai u shpreh se sa më herët, aq më mirë.
"Herën e parë kur na e kanë sjellë më datë 9 Shtator, nuk ka qenë merre ose lëre. Ndërkaq më datën 20 janar, për shkak se kishin kaluar shumë kohë, për bindjen time pa nevojë, kemi mundur që të takohemi më shpesh, më herët, të bëjmë më shumë, ishte shumë afër merre ose lëre.
Prandaj unë siç kam thënë edhe në Shtator, e përsërita në Janar, që është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.Propozimi natyrisht që nuk është propozim i cili nuk nënkupton bisedime të mëtejshme, ndaj dhe ne e konsiderojmë bazë të mirë".
Ndërkaq, Kurti pranoi se ka ende gjëra të padefinuara, ku njërën prej tyre përmendi garancinë ndërkombëtare, ani pse nuk e precizoi nëse është çështja te vendet mosnjohëse, që sipas raportimeve të ndryshme ka qenë një prej kushteve të Kurtit për t'i thënë po planit gjegjës.
"Jo. Ne e pranojmë në parim, duhet të negociojmë dhe më pas duhet ta shndërrojmë atë propozim në marrëveshje sepse ka shumë gjëra ende të padefinuara. Sidomos sa i përket garancive ndërkombëtare, mekanizmave implementues, dhe sekuencimin kohor".
Shtet brenda shtetit
Kurti, në veçanti foli edhe për Asociacionin, me këtë të fundit që kërkon të mos jetë një-etnik, si një prej gjashtë kushteve për ta themeluar Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe.
Këtu hodhi sërish kritika ndaj njërit prej pararendësve, respektivisht ish-presidentit Thaçi, duke thënë se marrëveshja e nënshkruar në vitin 2013, ndan Kosovën mbi baza etnike.
"Asocacioni i komunave me shumicë serbe është një marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel para 10 vjetësh, ndërmjet ish-Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Daçiç. Ajo marrëveshje e bën ndarjen mbi baza etnike, të komandantit të policisë, të Gjykatës së Apelit…
Do të thotë serbët në territoret e tyre e vendosin vetë policinë, vendosin vetë Gjykatën e Apelit, marrin vetë dhe taksat në mos gaboj të importeve, apo jo?Asocacioni i komunave bëhet një nivel i tretë i pushtetit që përfaqëson serbët karshi Prishtinës, që merr mbështetje nga Beogradi".

