Kurti paralajmëron “rezistencë” ndaj ndërkombëtarëve: Asociacioni një-etnik e shkel rendin kushtetues
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar që qëndrimet e tij për çështjet kryesore politike që po zhvillohen në Kosovë, t'i deklarojë në mediat jashtë Kosovës.
Kësaj radhe, kreu qeveritar foli në Euro News Albania, në një intervistë ku pashmangshëm tema kryesore ishte ajo lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Në këtë intervistë, Kurti, ka theksuar se po ushtrohet një ndikim i madh ndërkombëtar ndaj qeverisë së tij në lidhje me Asociacionin. Por ai ka deklaruar se nuk mund të pranojë një asociacion një-etnik, përkundër presionit të forte të cilin e pohon se po bëhet ndaj qeverisë në Prishtinë, sepse sipas tij kjo do të shkelte rendin kushtetues të Kosovës.
“Marrëveshja e asosacionit nëse është e veçantë është se nuk e kaloj testin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në një farë mënyre kjo marrëveshje është e vetmja nga 33 marrëveshjet që u rrëzua në gjykatë. 7 Kapituj i ka ajo marrëveshje por gjithsej në 23 nene e ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës me secilin nga 7 kapitujt”,- deklaroi Kurti.
Kryeministri vlerëson se sfida kryesore në dialog është rregullimi i çështjeve të pakicave kombëtare në vendet tona, dhe beson se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës.
“Serbia nuk e pranon parimin e reciprocitetit dhe ne jemi në një situatë me të vërtet të vështirë. Para 15 vjetëve unë kam qenë kritiku më o madh i propozimit të Ahtisaari se më than se nuk bën që Kosova të shpallet shqiptare. Kosova u shpall e pavarur multietnike ndonëse se shqiptarë 93%, serb 4% dhe 3% etni të tjera. Pra 93% shqiptar thanë nuk bën të shpallet shqiptarë tash kur kremtojmë 15 vjetorin na thonë duhet një asosacion mono etnik pra 1 etnik”, - tha Kurti, duke e quajtur të padrejtë presionin ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës.
“Andaj presioni që bëhet mbi Kosovën është tejet i madh dhe i padrejtë mirë po pozita jonë me argumente mbi diskutimin që bëjmë është tejet e volitshme. Nuk ka debat mbi asociacionin që zyrtarët tanë nuk e fitojnë”, shtoi Kurti.
Për zgjidhe përfundimtare duhet raund tjetër negociatash
Kryeministri Kurti vazhdon të theksojë se propozimi frank-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është një bazë e mirë dhe një platformë e fortë për të avancuar përpara në dialog. Megjithatë, shtoi se ky dokument nuk është një marrëveshje finale dhe për të ardhur në këtë pikë duhet edhe një raund negociatash.
“Propozimi i BE-së është një propozim që ne kemi thënë që është bazë e mirë dhe platformë solide për të ecë përpara, ne nuk mund të shkojmë prapa. Unë kam konsideruar që ky propozimi franko –gjerman, apo evropian, i mbështetur edhe nga ShBA-ja është një bazë e mirë për këtë gjë. Kjo nuk është marrëveshje finale, i ka pesë fjali në preambulë dhe i ka 10 nene. Ajo që më ka pëlqyer menjëherë në këtë tekst, , është se është propozim evropian dhe demokratik dhe është propozim që thirret në koncepte universale”, - tha Kurti.
Kryeministri u krenua edhe me paraqitjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, duke thënë se në vitin 2022 emri i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më i përmendur në arenën ndërkombëtare që nga pavarësia e saj. Këtë Kurti e atribuoi si sukses duke i thënë meritë stilit të tij në politikën e jashtme dhe në dialogun me Serbinë.
Skeptik për ulësen në OKB
Kreu i shtetit foli edhe për synimin e Kosovës që të ketë ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dukë thënë se Rusia që ka veton në OKB dhe Kina që nuk e njeh Kosovën janë pengesë për një gjë të tillë.
“Dy Gjermanitë morën ulëset në OKB u bënë anëtare të BE-së. Kemi konstalacion tjetër. Viti 2022 është viti prej pavarësisë ku nuk jemi përmendur më shumë në arenën ndërkombëtare. Në njërën anë, qeverisje jonë ka qenë e mirë, por në anën tjetër, nuk ka javë që nuk na përmend presidenti despotik Putini dhe varësit Zakharova, Lavrovi, Medvedevi e të tjerët. Vazhdimisht në hegjemoninë e tyre në Ukrainë thirren pa të drejtë në Kosovën si shembull për atë që bëjnë. Normalisht me atë Rusi që ka veton në OKB e pa Kinën që na njeh, nuk mund të jetë shpresëdhënës për ulëse në OKB. Konteksti historik e politik me atë model është i papërshtatshëm me këtë kohë”, - tha Kurti.
Kurti tha se faza dialoguese nën menaxhimin e tij të qeverisë, dallon nga pushtetet e kaluara duke thënë se tash flitet më shumë për hapa konkret.
“Dekada me përplot dialog para se unë të bëhem kryeministër, ishte dekada le të themi që për nga fryma e marrëveshjeve që realizoheshin në Bruksel, por nuk zbatoheshin aq në Kosovë e Serbi, ishte e ideologjisë së zgjidhjes së problemeve, pra ke një problem, le ta konsiderojmë sit ë veçantë dhe të përpiqemi ta zgjedhim me ç’rast ai bëhej gjithnjë e më komplekse, me një oqean të hollësive që bënte çdo qytetar ta humbte vëmendjen për përmbajtjen. Andaj tash kemi një propozim dy-faqesh, i dendur, me terme ende gjenerike, mirëpo konceptet janë universal, sikurse pavarësisë, sovraniteti, integriteti territorial, sundimi i ligjit, vetëvendosja, të drejtat e njeriut, paqja, siguria e etj”, - tha kryeministri.

