Kurti 'pajtohet' për çështjen e Asociacionit: Serbia le ta ngrejë si çështje në Bruksel, pastaj e diskutojmë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar edhe drejtpëdrejt faktin se Asociacioni mund të jetë pjesë e dialogut që sa i përket anës së Kosovës, i takon "ex officio" ta udhëheqë ai.
Në një intervistë dhënë A2CNN, Kurti ka thënë se nuk e mohon që kjo çështje mund të diskutohet në kryeqendrën evropiane.
Gjithsesi, ai hodhi kritika në drejtim të Serbisë rreth asaj se pse po kërkon zbatim të marrëveshjes e cila u rrëzua nga Kushtetuta, ndërsa shtoi se do të diskutojë rreth kësaj çështje, nëse fqinji ynë verior e ngre si temë në tavolinën e negociatave.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një marrëveshje e cila është bërë në vitin 2013, pastaj, kur është konkretizuar në vitin 2015, nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Merreni me mend, 33 marrëveshja janë bërë në Bruksel, Serbia këmbëngul në atë marrëveshje që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
Unë nuk e mohoj që, në kuadër të dialogut, Serbia do ta ngrejë si çështje Asociacionin si model për të zgjidhur çështjet e të drejtave të pakicave kombëtare. Le ta bëjë në kuadër të dialogut që duhet ta zhvillojmë në Bruksel”.
Në parim, kjo është një zbutje e theksuar, të paktën në aspektin e pranimit për ta diskutuar si çështjeje, por për të qenë korrekt, kjo nuk do të thotë se do të nënshkruajë çfarëdo të tillë, ose edhe me patjetër ta nënshkruajë.
Kërkesa
Euro-amerikanët vazhdimisht e kanë këtë kërkesë ndaj autoriteteve kosovare. Pra, Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe.
Edhe në udhëtimin e fundit që e kishte në Kosovë, Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ripërsëriti kërkesën, të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kohë që e kanë shtruar.
Atë për themelimin e Asociacionit të Kosovës, e për të cilën thonë se “duhet të punohet menjëherë”.
“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës.” – vlerësoi ai për REL-in dy ditë më parë.
Madje, nëse në procesin e themelimit nuk përfshihet Qeveria e Kosovës, atëherë z. Escobar paralajmëroi "diskutim me partnerë alternativë".
“Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”.
Escobar komentoi edhe frikën e njerëzve se Asociacioni mund të shndërrohet në një Republikë Serbe e llojit të Bosnjës, duke e paralizuar funksionimin e shtetit kosovar.
“Jo, absolutisht jo. Nuk është mekanizëm që do t’i imponohet Kosovës. Është një çështje, për të cilën Kosova mund të punojë me komunitetin ndërkombëtar, si dhe me komunitetin e prekur, për të gjetur zgjidhje që përbën fitore për dy palët, që mundëson mbrojtjen e të drejtave kolektive, duke e mundësuar ruajtjen e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së këtij shteti të pavarur dhe sovran”. – theksoi ai.

