Kurti, Osmani e Konjufca jashtë vendit: Kritikohen se e lanë Kosovën pa udhëheqës - NACIONALE

Kurti, Osmani e Konjufca jashtë vendit: Kritikohen se e lanë Kosovën pa udhëheqës

3 vjet më parë

nga Eriola Cacaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ditën e premte të 18 nëntorit 2022, nuk kanë qenë në shtetin që drejtojnë. Ata po zhvillojnë udhëtime jashtë vendit.

Presidenca e Kosovës përmes një njoftimit zyrtar ka bërë të ditur se Osmani me ftesë të Presidentit të Tunizisë, Kais Saied dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ka udhëtuar për në Djerba të Tunizisë, ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e krerëve të shteteve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Ndërsa, gjatë ditës së enjte, kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar për në Estoni, ku të premten ka takuar homologen e tij estoneze Kaja Kallas për një takim bilateral.

Ai gjithashtu zhvilloi një drekë pune me ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu.

Nga ana tjetër kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka udhëtuar në Gjermani, ku ka mbajtur takim me bashkatdhetarët.

“Nga takimi i Kryetarit të Kuvendit Konjufca me mërgatën në Frankfurt të Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.

Shteti pa udhëheqës?

Profesori i juridikut në Universitetin e Prishtinës, Florent Muçaj ka deklaruar për Gazetën Nacionale se këtë nuk e ndalon ndonjë normë, por sipas tij kjo nuk është e mirë për shtetin.

“Nuk ka ndonjë norme që e ndalon. Por në kuptimin e vakumit institucional që e lejnë, nuk është mirë për shtetin”, ka deklaruar Muçaj.

Ndërsa njohësi i protokolleve, Haki Merovci, ka thënë për Gazetën Nacionale se tre krerët e shtetit duhet të koordinohen në mënyrë që të mos udhëtojnë njëkohësisht jashtë vendit.

“Komfort në Ligjin për Protokollin e shtetit (Ligji Nr. 03/L132) nenit 19 pika 4 e këtij neni në mënyrë decidive thotë " protokolli i shtetit vihet në dijeni për çdo lëvizje të të personalitete kryesore, Presidentit, Kryetarit të kuvendit dhe Kryeministrit jashtë vendit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit", ka thënë Merovci.

Njohësi i çështjeve juridike, Anton Nrecaj, është shprehur se veprimet e pa koordinuara mes krerëve të shtetit, shpërfaq papërgjegjësi të tyre.

“Veprimet e pa koordinuara të krerëve të shtetit sidomos në një situatë të tensionuar në territorin e shtetit kur është më se e domosdoshme që të ketë sundim të rendit dhe sigurisë publike dhe mbrojtjes së kushtetutës tregojnë një papërgjegjësi të krerëve të shtetit. Aq më tepër këto veprime tregojnë papjekuri politike dhe duke e braktisur vendin me udhëtime jashtë vendit dhe me vetëdije të plotë e shkelin ligjin dhe vetë betimin e dhënë në marrjen e mandateve”, ka thënë Nrecaj për Nacionalen.

Ndërkaq, profesori i Shkencave Politike, Dritero Arifi i tha Nacionales se udhëtimi i tre krerëve të shtetit është shqetësues, pasi që sipas tij kjo tregon mungesë të seriozitetit dhe respektit ndaj shtetit.

“Sa i përket vizitës së tre krerëve kryesor të Republikës tonë, Presidentes, Kryeministrit dhe Kryetarit të kuvendit është e palogjikshme, por është edhe në një farë mënyre anti-shtetërore duke ditur që edhe në protokoll të shtetit njëri nga krerët duhet të jetë në shtëpi nëse dy të tjerët janë jashtë shtetit. Plus duke llogaritur edhe gjendjen që shumë trragjile dhe shumë e rrezikshme sa i përket situatës në veri të vendit. Kjo po tregon një mos konsistencë dhe një mos seriozitet ndaj shtetit, pikërisht këto tri figura po tregojnë mos seriozitet ndaj shtetit dhe kjo është me të vërtetë një dukuri shqetësuese sepse në një farë mënyrë mos serioziteti po vazhdon dhe ne nuk jemi këndellje të politikës kosovare, por kemi vazhdimësi të së njëjtës mendësi, pra mosrespektim ndaj strukturave shtetërore”, ka thënë Arifi.

Lajme të ngjashme