Kurti: Nuk mund të shkruajmë tekste alternative për Asociacionin, duhet të pajtohemi për parimet
Kryeministri Kurti është pyetur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës edhe në lidhje me hapat konkretë që ka bërë për çështjen e Asociacionit, për të cilën po i bëhet presion i madh ndërkombëtar. Ai ishte përsëri jo shumë serioz në fjalët e tij.
Kryeministri Kurti u pyet për këtë çështje nga deputetja e PDK-së, znj. Ariana Musliu-Shoshi.
Megjithatë, Kurti përgjigjen e tij e nisi me një histori të panevojshme të gjithë asaj që kishte ndodhur.
“Nga 2 maji, procesi është hapur për negocim,” – tha Kurti.
Kryeministri vazhdoi duke informuar edhe për lirimin nga detyra të Ekipit Menaxhues, duke dhënë edhe arsyen se kjo ishte bërë “për shkak të shkeljeve serioze mbi parimet me të cilat do të duhej ta kryente punën e saj.”
Kurti tha se Ekipi Menaxhues nuk ishte koordinuar me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), siç ishte paraparë në planin e zbatimit të marrëveshjes së vitit 2013.
I pyetur se çka po bënte konkretisht ai për të adresuar kërkesat ndërkombëtare, Kurti u shpreh se e kishte prezantuar draft-vizionin e tij më 2 maj.
“Pra, unë kam prezantuar draft-vizionin. Porsa të lexohet teksti kuptohet se si do të duket në vijim. E konkretisht unë jam inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare.” – tha kryeministri i Kosovës.
Ai u shpreh se mund ta thellonte më tej këtë vizion të tij, mirëpo kjo kërkonte pajtueshmëri në parim.
“Nuk mund të shkruajmë tekste alternative për të cilat do të gjendet mesatarja aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim.” – theksoi kryeministri i Kosovës.
Pikërisht një qasje të tillë e kishin paraqitur emisarët Lajçak dhe Escobar, të cilët kishin kërkuar që të gjendej mesi. Kjo kishte nxjerrë një protestë të ashpër nga aktivistë të VV-së, përfshirë kryekuvendarin Glauk Konjufca, por edhe figura tjera opozitare siç ishte ish-kryeministri Isa Mustafa.
Kujtojmë që sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi opinionin se e kishte dërguar një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.
Ai u shpreh shumë i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhej Kosova në raport me partnerët e saj më të mëdhenj ndërkombëtarë.
Nga ana e tij, kryeministri Kurti nuk ka shprehur shqetësim për një gjë të tillë pavarësisht se është raportuar mundësia që edhe ai të futej në listën e zezë të ShBA-ve.

