Kurti në Japoni, Besnik Bislimi merr 'stafetën' e (keq)menaxhimit - NACIONALE

Kurti në Japoni, Besnik Bislimi merr 'stafetën' e (keq)menaxhimit

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Në mes të grevës së sindikatave e shumë problemeve të tjera në vend, kryeministri Kurti mori rrugë drejt Azisë, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe.

Ky udhëtim i tashëm i shefit të ekzekutivit u kritikua dukshëm nga opinionistë e anëtarë të shoqërisë civile, ndërsa si rëndom, disa prej deputetëve të "afërt" të tij i dolën në krah, duke kujtuar fqinjësinë e mirë mes dy vendeve kur në krye të qeverisë së Japonisë ishte tashmë i ndjeri Abe.

Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social "Facebook" konfirmoi takimin me homologun japonez, Fumio Kishida.

"Në ditën e dytë të qëndrimit në Tokio, në rezidencën shtetërore në Pallatin Akasaka, na priti për vizitë Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida. I shpreha edhe njëherë ngushëllime në emër të popullit dhe qeverisë së Kosovës për vdekjen tragjike të ish Kryeministrit Shinzo Abe, si dhe e falënderova për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme japoneze për zhvillimin e Kosovës", shkroi mes tjerash ai.

Përveç me Kishidën, Kurti është takuar edhe Guvernatorin e Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), Nobumitsu Hayashi.

Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate.

"Kryeministri Kurti e ka njoftuar z. Hayashi për zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe i ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në Osaka Expo 2025. Ai bashkë dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë shprehur interesim për programet e kredive të buta të JBIC dhe mundësitë e përfitimit nga ato për projekte zhvillimore të Kosovës", thuhej ndër të tjerash në këtë komunikatë.

"Besnik shefi"

Me mungesën e kryeministrit Kurti, stafetën e menaxhimit duket ta ketë marrë mbi supe zëvendës-kryeministri i parë, Besnik Bislimi.

Menjëherë pas udhëtimit të Kurtit për në Japoni, Bislimi ka pritur në Qeveri shefin e Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi, të shoqëruar nga Martina Fava, Koordinatore për Personat e Zhdukur dhe Familjet e tyre në Ballkanin Perëndimor.

Ndodhi kjo të hënën.

Një ditë më vonë, pra të martën, Bislimi u takua me kryetarin e Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët, Karl Wilfing.

Ky i fundit ishte i shoqëruar nga nënkryetari i parë, Karl Moser, deputetët Rene Pfister e Dieter Dorner, zëdhënësi Christoph Fuchs, Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger dhe zëvendës-ambasadori Martin Schaller.

Përfaqësuesi i Kosovës në dialogun teknik me Serbinë gëzon pushtet të jashtëzakonshëm brenda Lëvizjes Vetëvendosje, pasi llogaritet si dora e djathtë e Kurtit, që të dielën që lamë pas fitoi garën e brendshme zgjedhore në Vetëvendosje me 98.60 për qind të votave, shifër kjo jashtëzakonisht e lartë.

Lajme të ngjashme