Kurti me paralajmërime e thirrje për aktivistët e VV-së: Ka tendencë për grupacione, të largohemi prej zonës së komfortit
Kryeministri i Kosovës njëherit kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka mbajtur të dielën një takim më pikat e Vetëvendosjes në vend. Kurti në këtë takim ka kërkuar angazhimin e aktivistëve për zgjedhjet e ardhshme. Kurti i ka paralajmëru ata se ka tendencë që të krijohen grupacione në mbështetjen e një kandidature tjetër.
Ai ka thënë se tendencë që të krijohen grupacione të ndryshme që pritet të mbeshtetin një kandidatë tjetër.
“Për secilin e secilin nga ne këtu, ashtu siç ka edhe njerëz që e mbështesin, ka edhe njerëz që e mbështesin, ka edhe njerëz që e kritikojnë. Ka edhe tendenca për t’u krijuar grupe, grupacione në mbështetje të një kandidature të mundshme, apo në mbështetje të dikujt tjetër. Por për sa kohë që na bashkon Lëvizja dhe ideali ynë kombëtar e shoqëror, këto grupacione duhet të tejkalohen.” – ka thënë Kurti.
Më tutje, ai ka përmendur edhe tri gjërat që duhet të bëjnë aktivistët e VV-së për t’u bërë gati për zgjedhjet që sipas tij, mund të mbahen jo më larg se viti 2025.
“Së pari, nga aktivistët e angazhuar në pikat e Vetëvendosjes, duhet të fillojë një punë me qytetarët, që ata të ndihmohen të kuptojnë më mirë se çka janë detyrat e qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, e çka mund të kërkohet prej këtyre niveleve të qeverisjes.”
“Së dyti, nga ju, që jeni përfaqësuesit tanë të përditshëm në lagjet e fshatrat e Kosovës, ne presim angazhimin që së bashku të identifikojmë liderët lokalë, drejtuesit e rinj, që do të angazhohen në zgjedhjet e ardhshme lokale si kandidatë për asamble komunale, apo edhe për kryetarë e drejtorë komunash.”
“Së treti, të dashur bashkëveprimtarë, nuk duhet të harrojmë diçka: angazhimi politik do të thotë aktivitet i dendur. Pra do të thotë organizim takimesh dhe pjesëmarrje në takime. Do të thotë lexim e analizë. Pikat tona e qendrat tona duhet të mblidhen e të diskutojnë, sepse pa diskutim nuk ka politizim.” – ka thënë ai.
Kurti para aktivistëve e anëtarëve të partisë, ka përmendur zgjedhjet e fituara më 2019 dhe më 2021, teksa ka bërë thirrje që aktivistët të largohën prej zonës së rehatshme.
Më tej, ai ka thënë shembull duhet të merren zgjedhjet qendrore.
“Ne kemi fituar zgjedhjet në 6 tetor 2019, kemi fituar përsëri me 50.2% të votave në 14 shkurt 2021, e me siguri do të fitojmë edhe zgjedhjet e tjera më së voni në vitin 2025. Por arsyeja pse angazhohemi nuk është fitorja e zgjedhjeve por dëshira për ndryshim. Këtë duhet ta kërkojmë nga vetvetja përditë, në punën tonë organizative dhe politike. Për ta mundur korrupsionin, duhet që vetë ne të mos vuajmë nga lakmia e nga zilia. Për ta mundur paaftësinë, duhet që vetë ne të jemi modestë e të hapim rrugën për profesionistët. Për ta mundur prapambetjen, duhet që vetë ne të sfidohemi e të largohemi prej rehatisë, prej zonës së komfortit.” – ka thënë ai.
Ndër të tjera, Kurti u tha aktivistëve që më mirë të mos pajtohen me një kryetar komune të VV-së për 20 për qind se me një kryetar të partive tjera për 60 për qind.
Kurti në këtë mbledhje ka kujtuar edhe aktivistin Astrit Dehari me rastin e 7-vjetorit të vdekjes së tij.


