Kurti kërkon adresim me urgjencë të krimeve të luftës, s`e përmend fare padinë kundër Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur masakrat e forcave serbe që këto ditë i ka përkujtuar Kosova. Ai ka kërkua nga sistemi i drejtësisë që këto krime të trajtohen me urgjencë.
Në adresimin e tij në mbledhje të Qeverisë, Kurti ka folur për hapat që qeveria e tij ka bërë në adresimin e këtyre krimeve. Por, në fjalimin e tij prej disa minutave ai nuk ka përmendur fare çështjen padisë për gjenocid ndaj Serbisë, të cilin e ka paralajmëruar prej ardhjes në pushtet.
Në vend të padisë për gjenocid, ai ka treguar për funksionalizimin e Institut të Krimeve të Luftës dhe disa çështje tjera.
“Për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, meqenëse shpesh herë kemi shpërputhje të të dhënave nga burime të ndryshme, kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë, për të cilin tashmë janë hapur 25 pozita. Aty ka shumë punë dhe do të bëjmë shumë punë. Andaj, ju bëj thirrje ekspertëve të fushës që të aplikojnë në pozita e hapura dhe të konbujojnë në këtë proces kaq të rëndësishem për Republikën tonë, për hisotirnë tonë dhe për të ardhmen tonë. Krahas thirrjes për të deponuar sa më shumë dëshmi për krimet e kryera kudo në Kosovë në institutin e themeluar u bëjë thirrje qytetarëve t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë”, është shprehur Kurti.
Ai ka vlerësuar se në procesin e regjistrimit të popullsisë për herë të parë është përfshirë pyetësori për krime të luftës.
Sipas shefit të ekzekutivit, qytetarët do të mund t`i deklarojnë dëmet ekonomike, shumën e pronave të shkatërruara si dhe dëmet në njerëz.
“Nuk kemi mangësi vetëm tek shpërputhja e të dhënave, por thjesht edhe tek mungesa tyre. Për herë të parë në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare. Qytetarët do të mund t`i deklarojnë dëmet ekonomike, shumën e pronave të shkatërruara si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo përudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998, pra nga Qirezi e Lishkoshani, deri më 12 qershor 1999, pra fillimit i tërheqjes të trupave të Serbisë nga Kosova”, është shprehur Kurti.
Porosia për gjyqësorin
Më tej, i pari i Qeverisë ka treguar se qeveria e tij ka avancuar bazën ligjore për adresimin e krimeve të luftës.
“Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës ne e kemi zhvilluar bazën ligjore që kishte munguar për shumë kohë, dhe kemi rritur kapacitete e institucioneve për adresim efikas të tyre. Në Policinë e Kosovës, në të kaluarën, krimet e luftës janë trajtuar në sektor në kuadër të hetimeve të krimeve të rënda me gjithsej 19 zyrtarë. Me strukturën e re të miratuar, tashmë në Policinë vendit tonë e kemi ngritur në nivel të drejtorisë së hetimit të krimeve të luftës me 41 hetues”, është shprehur ai, duke treguar disa shifra.
“Derisa gjatë vitit 2023 hetuesit e krimeve të luftës i kanë intervistuar 191 dëshmitarë, me rritjen e numrit të hetuesve, vetëm në këta muajt e parë të vitit 2024 janë intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës. Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të krimeve të lutës që në vitin 2019. Gjatë këtij mandatit kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, Kodin e Procedurës Penale, që kriminelet serb të luftës të përballen me dritësinë”, ka thënë Kurti.
Ai i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që të ketë adresim urgjent të këtyre krimeve.
“Andaj, nga këtu i bëj thirrje edhe një herë sistemi tonë të drejtësisë për adresim me urgjencë të rasteve të krimeve të kryera gjatë lutës. Po e ritheksojmë, këto krime nuk vjetërsohen, por dëshmitarët po janë më të moshuar. Besoni që në shumë prej varrezave ku janë martirët e dëshmorët e kombit, po bashkëngjiten edhe varret e të mbijetuarve që në vitet e fundit kanë ndërruar jetë”, ka thënë ai, duke tregua pse është urgjente kjo çështje. “Andaj është çështje urgjente adresimi i krimeve të luftës sidomos për shkak se me kalimin e viteve jemi duke i humbur dëshmitarët. Dëshmitë janë aty, por jemi duke i humbur dëshmitarët sepse u bë çerekshekulli nga lufta e fundit në Kosovë”, është shprehur.
Edhe pas marrjes se postit të kryeministrit,Kurti disa herë kishte paralajmërua ngritjen e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.
“Jemi të bindur se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, në luftën e fundit dhe kjo meriton një padi, e Qeveria e Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë...”, ka thënë Kurti, kohë më parë.