Kurti i Vetëvendosjes na shpjegon se qysh është përgatitja për negociatat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, na ka njoftuar një ditë para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq se qysh është procedura e përgatitjeve për negociata. Kurti edhe më parë tregonte që po lexonte literaturë për negociata. Por, kësaj here gjërat janë pak më ndryshe.
Kurti njoftoi pas orës 10 të mbrëmjes se po përgatitej për takimin me Lajçakun, Borrellin e Vuçiqin. Në shpjegimin e djeshëm, ai u shpreh se kishte gjëra komplekse dhe të thjeshta. Te gjërat komplekse përmendi informacionet e shumta që duhej t'i mësonte.
Por, pse ishte saktësisht komplekse?
Kurti ka treguar se procesi i negociatave është kompleks për shkak që ka shumë informacione dhe detaje, por sipas tij, është i thjeshtë pasi dihen se cilat janë dëshirat e Kosovës.
“Arrita në Bruksel dhe e kalova ditën duke u përgatitur për takimin e nesërm. Përgatitja për negociata është edhe komplekse, edhe e thjeshtë: komplekse, sepse ka shumë të dhëna dhe hollësi të përfshira, mes tjerash, por e thjeshtë, sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të sinqerta dhe fisnike.” – ka shkruar Kurti në Twitter.
Kurti gjatë përgatitjeve për takimin ishte vet 9-ti. Në këtë tavolinë u panë edhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, këshilltari Tienmu Ma, ambasadori në Bruksel, Agron Bajrami por edhe zëdhënësi Përparim Kryeziu me të tjerë.
Por, Kurti nuk e kishte kategorizuar si komplekse pajisjen me shumë të dhëna e hollësi në të kaluarën.
Leximi i literaturës
Kryeministri Kurti gjatë një deklarimi për medie të bërë para një muaji, kishte thënë se është aktiv tërë kohën duke lexuar.
Ai pati deklaruar se përgatitet duke lexuar dokumentet e deritanishme si dhe duke lexuar literaturë sa i përket bisedimeve e negociatave.
“Unë jam shumë aktiv tërë kohën sepse Qeveria e Kosovës i ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, por një pjesë të kohës, e krejt çka mundem përgatitem duke i lexuar dokumentet e deritanishme, por gjithashtu duke lexuar literaturë sa i përket bisedimeve dhe negociatave, këtu më ndihmojnë shumë këshilltarët mi si kryeministër, por edhe këshilltarët e zv.kryeministrit Bislimit, i cili përveç se ka rolin për integrimet evropian, është edhe zv.kryeministër. Unë mendoj që flej mirë.” – ka thënë ai pas edicionit të dhjetë të Javës së Gruas që u mbajt para një muaji.
Megjithatë, Kurti doli se ishte shumë i painformuar në lidhje me ekipin menaxhues që do ta prezantojë sot draft-statutin e Asociacionit.
Mbetet të shihet nëse këto përgatitje në orët e vona do t’i hyjnë në punë kryeminitrit Kurti, pasi që sot nga ora 18:00 pritet të takohet me Vuçiqin në Bruksel.
Përveç Asociacionit, në takim do të diskutohet edhe për deklaratën për të pagjeturit, që sipas Kurti është “pika fillestare” e takimit.

