Kurti flet për arratisjen e Sekiraqës, por hesht për “arratisjen” e mundësisë së Kosovës për anëtarësim në KiE
Kryeministri Albin Kurti edhe sot e ka konfirmuar se dëshiron të flasë për dështimet e të tjerëve dhe jo për dështimet tij. Para kabinetit qeveritar, ai ka folur për arratisjen e Enver Sikiraqës, por ka heshtur për “arratisjen” e mundësisë së Kosovës për t`u anëtarësuar në KiE.
Po bëhet gati një javë kur Kosova ka dështuar të anëtarësohet në Këshill të Evropës dhe kryeministri Albin Kurti nuk e ka thënë ende asnjë fjalë. Ndonëse mosanëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë po konsiderohet si prej dështimeve më të mëdha diplomatike të Kosovës, për shefin e Qeverisë po duket si diçka normale, raporton Nacionale.
Vendet aleate të Kosovës dhe opozita kanë bërë me dije se javën e kaluar, kur është mbajtur mbledhja e Komitetit të Ministrave të KiE-së, Kosova kishte një rast historik që të bëhet pjesë e kësaj organizate. Madje, për këtë dështim ata kanë ishin drejtuar gishtin nga Qeveria dhe kryeminsitri Kurti. Megjithatë, askush prej qeverisë deri me tani nuk e ka marrë përgjegjësinë e këtij dështimi.
E vetmja zyrtare qeveritare që ka folur për këtë dështim ka qenë Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Në reagimin e saj, pas përfundimit të mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ajo ka fajësuar disa vende aleate të Kosovës, duke thënë se e përkrahen Serbinë.
“Megjithëse sot ishte dita kur do të duhej të votohej anëtarësimi ynë në këtë organizatë dhe në këtë formë të dërgohej një mesazh i fuqishëm për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës dhe në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare nuk e futën në agjendën e sotme dhe nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.
Ndër të tjera, ajo ka bërë me dije se më nuk vlen as oferta e Kosovës për hartimin e një drafti të ri për Asociacionin, të cilin dje ia ka nisur kryetarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka thënë se ajo letër e ka humbur relevancen pasi Komiteti i Ministrave nuk mori parasysh kërkesën e Kosovës për anëtarësim.
“Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka shkruar Gërvalla.
Çka tha Kurti për Sikiraqën?
Derisa për dështimin në Këshill të Evropës po hesht, shefi i qeveris ka zgjedhur të flasë për arratisjen e Enver Sikiraqës, i cili është dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e policit Trumf Riza.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ai për disa minuta ka adresuar kritika ndaj sistemit të gjyqësorit, duke kërkuar përgjegjësi për veprimet e tyre.
“Në fundjavën që po e lëmë pas, kuptuam që njëri prej personave më famëkeq nga bota e krimit, i cili javën e kaluar u dënua përfundimisht nga gjykata me 25 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës, policit të Kosovës, është arratisur. Të gjithë atë që e kanë njohur Triumfin, e përshkruajnë njëzëri si profesionist të pashoq, të shkathtë në detyrë e shumë njerëzor me qytetarë. Triumfin e kam takuar edhe unë dhe kam po këtë përshtypje. Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor, që vazhdon të arratiset vet nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk përbëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë me dije se shteti i së drejtës dhe sundimi i ligji duhet të jenë qëllim dhe përkushtim i shtetit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për çdo ditë, për të përfshirë të gjithë qytetarët, nga të gjitha komunitetet pa dallim, në jetën institucionale, zhvillimin ekonomik, drejtësinë sociale të Republikës sonë të përbashkët. Vendosja e rendit dhe ligjit është kusht i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi. Këtë nuk e bëjmë kundër askujt të posaçëm, këtë e bëjmë gjithnjë për të gjithë. Për interesin publik në Republikë demokratike”, është shprehur Kurti.
Ai ka bërë me dije se ky rast tregon se reforma në sistemin e drejtësisë është urgjencë kombëtare.
“Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë dhe duhet të jenë qëllim dhe përkushtim i shtetit, me gjyqësorin e mirë, që drejtësinë dhe ligjin i bën sinonime në përshtypjen e qytetarëve dhe të shoqërisë mbarë. Vrasësit e policëve në liri janë kulmi i padrejtësisë. Reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë, tash është urgjencë. Urgjencë institucionale. Urgjencë shtetërore. Urgjencë kombëtare”, është shprehur Kurti.
Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Kurti drejton kritika ndaj sistemit gjyqësor. Ai edhe më herët ka adresuar kritika ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës. Për këto veprime Qeveria Kurti ka marrë qortime nga aleatët dhe raporte të organizatave të ndryshme qeveritare.