Kurti flet për ‘armët e kontrabanduara në autoambulanca’: Sot takohem me KFOR-in, brenda javës duhet të sqarohet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për qarkullimin e raportimeve se nga Serbia në Kosovë janë kontrabanduar armë përmes autoambulancave në Kisha Ortodokse.
Kurti para gazetarëve, ka thënë se sot do të takohet me përfaqësues të NATO-s në lidhje me këtë çështje.
“Tash i kemi këto informacione se veturat e autoambulancave janë përdorë për të bartur armatim. Unë sot do ta kem një takim me përfaqësues të NATO-s për këtë gjë.” – ka thënë ai.
Kurti po ashtu konfirmoi se do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it.
“Do ta takoj edhe komandantin e KFOR-it, pas gjithë këtyre takimeve, edhe me informacionet e sigurisë do të mund ta japim fjalën përfundimtare.” – u shpreh ai.
Në fund, Kurti bëri të ditur se brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje.
Tash jemi duke grumbulluar të dhënat, dhe nuk është të japim informacion për informacionin e paplotësuar, por brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje.
Ndërkohë, një informacion i tillë, fillimisht u dha nga deputetja britanika, Alicia Kearns.
“…Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – çuditërisht – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët.” – tha ajo.
