"Në veri të Kosovës u sollën armë nga Serbia me autoambulanca", reagojnë KFOR-i dhe Kisha Ortodokese Serbe
Deklarata e Kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin britanik, Alicia Kearns, që tha se armët po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë, po bëhen përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse, ka prodhuar reagimin e Kishës Ortodokse Serbe dhe KFOR-it. Çka dihet?
Deklarata e deputetes Kearns se në veri të vendit armët kontarbandohen me autoambulancë, ka bërë që të reagojë KFOR-i dhe Kisha Ortodokse Serbe.
“…Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – çuditërisht – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët.” – ka thënë deputetja britanike.
Në anën tjetër, për deklaratën e saj ka folur edhe KFOR-i.
Në një përgjigje për Kallxo.com, KFOR-i ka thënë se janë duke verifikuar faktet.
“Ne jemi duke verifikuar faktet dhe do të japim një përgjigje gjithëpërfshirëse sa më shpejt të jetë e mundur”- kanë thënë KFOR.
Ndërkohë për deklaratën e deputetes britanike, ka reaguar edhe Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS), e cila ka thënë se janë të shqetësuara për deklarata e deputetes britanike, Alicia Kerns.
Kisha Ortodokese Serbe ka thënë se deklarata e saj “paraqet një akuzë tejet të rrezikshme që kriminalizon Kishën Ortodokse Serbe dhe tashmë po shfrytëzohet nga disa media kosovare me qëllim të nxitjes së urrejtjes fetare dhe etnike”.
“Këto akuza përbëjnë gjithashtu një kërcënim të drejtpërdrejtë për klerin, manastiret dhe vendet fetare.” - thuhet në këtë reagim.
Tutje, në reagimin e Kishës kërkohet nga KFOR-i që të verifikojë këto pretendime të deputetës.
“Prandaj, ne kërkojmë publikisht, përmes kësaj deklarate, që misioni i KFOR-it, në të cilin ishte vendosur njësia e lartpërmendur britanike (Royal Fusiliers), t’i bëjë të ditur publikut nëse mund të konfirmojnë pretendimet e deputetit të MB-së. Është e pamundur që ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar në KFOR ta kenë këtë informacion dhe të mos ua komunikojnë eprorëve të tyre në komandën e KFOR-it. Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, çdo zyrtar(ët) i kishës që zbulohet se është i përfshirë në keqpërdorimin e supozuar të ambienteve të KOS-it dhe shërbimit kishtar për transportin ose ruajtjen e armëve do të përballet me dënimet më të rënda të kishës dhe nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë shërbimin e tyre publik. Mirëpo, nëse KFOR-i nuk mund të konfirmojë vërtetësinë e këtyre pretendimeve, Dioqeza Rashkë-Prizren do të kërkojë një falje publike nga deputetja e lartpërmendur përmes ambasadës britanike në Prishtinë, për shkak të pretendimeve të saj nxitëse dhe të pasakta që kanë pasoja të rënda.” - thuhet në deklaratën e Dioqezës Rashkë-Prizren.
Në anë tjetër, mediumi “The Geopost” publikoi të martën pamjet ku shihet duke u transportuar armët.
Ndërkohë, situata në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë, por e tensionuar.
Ndërkaq, BE-ja dhe SHBA-ja po bëjnë thirrje ndaj Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në shtensionimin e situatës.