“Kurti është dorëzuar”; “Nuk thotë jo për asgjë në dialog”: Kërkohet nga opozita që ta shpëtojë Kosovën nga Asociacioni?
Çdo ditë e më tepër po shtohet kritikat ndaj draft-statutit të Asociacionin, të cilin e ka pranuar Kosova. Dokumenti në fjalë më nuk po konsiderohet Asociacion, por autonomi për serbët e veriut. Kjo ka shqetësuar opozitën dhe njohësit e rrethanave politike për Kosovën.
Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiti, ka thënë se në këtë temë kryeministri Albin Kurti është dorëzuar.
Ajo ka kërkuar nga opozita që ta shpejtojë Kosovën nga kjo e keqe.
“Nëse statuti i Asociacionit nuk miratohet nga Kuvendi nuk mund te shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, sipas ekspertëve. Është detyrë e opozitës ta shpëtoj Kosovën nga ky rrezik. S`ka kush tjetër ta shpëtojë, sa për Kurtin është dorëzuar, nuk thotë jo për asgjë në dialogun e Brukselit”, ka shkruar Tahiri në profilin e saj në “Facebook”.
Unifikimin e opozitës në këtë temë e ka kërkuar edhe ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.
Në një intervistë për gazetën Nacionale ai ka kritikuar partitë opozitare për mosunifikim në raport me Qeverinë Kurti.
“Opozita është mirë me kanë unike në qëndrim, jo me dal dikush me thanë e pashë dokumentin e dikush jo, kur të gjithë janë kanë në një takim. Shihet që edhe opozita nuk është shumë e kjartë rreth kësaj situate”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja duhet të kërkojnë edhe ndihmën e SHBA-së.
“Edhe në rast se z. Kurti e refuzon bashkëpunimin me opozitën me gjet forma tjerë. Është presidentja e Republikës që e ka obligim zbatimin e Kushtetutës dhe me kërku llogari prej presidentes. Pastaj, është mirë me kërku ndihmë prej Qunti-t. Pse mos me shku tre liderët e opozitës me u taku me ambasadorin amerikan me diskutu për këtë temë dhe me i thanë a mundesh me na ndihmu”, është shprehur Haradinaj.
Sa unike është opozita?
Gjatë këtij mandati, opozita e vogël në numra jo rrallë është kritikuar për mosunifikim.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja asnjëherë nuk kanë tentuar krijimin e një fronti opozitar.
Madje, përfaqësuesit e këtyre partive shpeshherë kanë shkëmbyer edhe kritika në mes vete.
Se fundi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga gazetarët që të mos e identifikojnë me gjithë opozitën.
Në një intervistë në emisionin “Debat Plus”, ai ka thënë opozita nuk është një dhe ka kërkuar që të partia që udhëheq ai të mos përzihet me të tjerët.
“Ju kisha lutë që sa herë që jemi në diskutime, opozitën mos ta referoni si një tërësi sepse sjemi një. Mos na përzieni me të tjerët”, është shprehur Abdixhiku, duke shtuar se gazetarët po gabojnë kur po e bëjnë një gjë të tillë.
“I pashë lajmet opozita mendon, opozita nuk mendon, sepse ishte fjala vetëm për një parti të caktuar. Ne i kemi qëndrimet tona”, është shprehur ai.
Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar se opozita nuk është në nivelin e duhur.
Në një intervistë në “Rubikon”, ai ka thënë se opozita nuk ka ditur të bashkohet dhe ta mbaj nën kontroll Qeverinë Kurti.
“E meritojmë kështu me na e ba Kurti sepse ia kemi lanë livadh, ia kemi dhanë votën me shumicë dhe atë blanko, pastaj ne si opozitë nuk kemi ditë me u bashku me kohë dhe me mbajt nën kontroll këtë njeri dhe këtë qeveri, ky e shtini në kontroll edhe presidenten dhe parlamentin dhe të gjithë realisht. Të vetmit që nuk po i kontrollon janë gjyqësori dhe mediat”, është shprehur Haradinaj.
Se fundi, opozita nuk ka arritur t`i bashkojë votat për të dërguar presidenten Vjosa Osmani në Gjykatë Kushtetuese për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit.
Ndonëse veprimi i presidentes ishte kritikuar ashpër nga opozita, tri partitë opozitare nuk kanë arritur një gjuhë të përbashkët për të adresuar këtë çështje në Kushtetuese. Javën e kaluar janë një muaj prej kur shefja e shtetit ka treguar publikisht se nuk do ta dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit dhe në këtë mënyrë ka skaduar afati i adresimit të kësaj çështje.
Partia më e madhe opozitare, PDK, ka fajësuar LDK-në se nuk ia ka dhënë nënshkrimet e deputetëve të saj për temë.
PDK-ja dhe AAK-ja kishin arritur t`i mbledhin vetëm 25 nënshkrime për këtë çështje, ndërsa të nevojshme ishin 30 sosh.

