Kurti e pranon planin franko-gjerman: a po funksionon presioni ndërkombëtar për të cilin u ankua kryeministri?
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës dhe politikani që dikur ishte kurioz ta dinte si dukej presioni ndërkombëtar, tani po ankohet se po përballet me një të tillë. Për më shumë, i pamësuar me presionin, Kurti tashmë ka filluar kritikat edhe ndaj ndërkombëtarëve, posaçërisht ndaj Gabriel Escobar, i dërguar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Së fundmi, më saktësisht sot, Kurti ishte i drejtpërdrejt sërish. Në një intervistë për medien e njohur “Associated Press”, Kurti iu ka bërë thirrje shteteve të fuqishme perëndimore, që të mos bëjnë presion lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Fuqitë perëndimore nuk duhet të bëjnë presion mbi vendet më të vogla si Kosova, të cilat janë demokratike. Problemet mes Kosovës dhe Serbisë mund të jenë të vogla dhe të bezdisshme, por ata duhet t'i kushtojnë vëmendje asaj që ka ndodhur në rajon sepse "çdo lloj zgjidhje e gabuar në Ballkan mund dhe do të përdoret diku tjetër", tha kryeministri i Kosovës për AP-në.
Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se Kurti është duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar, teksa janë të ndarë nëse shefi i qeverisë po i mbanë premtimet e tij të dikurshme.
Poçi…shpërthen
Sociologu, Shkodran Ramadani thotë se kryeministri Kurti është dorëzuar para presionit ndërkombëtar dhe të Serbisë, duke dëshmuar se premtimet e tij të dikurshme kanë qenë veç një grumbull deklaratash boshe pa përmbajtje.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ramadani tha me ironi se Kurti tani po e kupton se si duket presioni i ndërkombëtarëve.
“Ky qenka një zhvillim i ri. Më në fund Kurti e paska shëruar kuriozitetin e tij të shquar rreth dukjes së presionit ndërkombëtar. Tashmë qenka njoftuar me të dhe i paska gjetë përgjigjet për kureshtjen e tij të famshme: “nuk e di se si duket presioni ndërkombëtar”. Tash që është njoftuar me të, radha është të përballet me të. Tash do ta kuptojmë se rezistenca të cilën ai e ka kultivuar për dy dekada është fluskë apo një forcë solide politike e aftë t’u bëjë ballë të gjitha formave të trysnisë. Deri tash shenjat janë se ajo çfarë ai e quante rezistencë në fakt është veç një grumbull deklaratash boshe pa përmbajtje dhe pa referencë në realitet”, tha Ramadani.
Me tutje, ai e shpjegoi presionin mbi Kryeministrin përmes shembullit që vetë Kurti e kishte përdorur në opozitë kur flitej për presionin ndërkombëtar.
“Ka pranuar letërnjoftimet ilegale, targat ilegale, ka shtyrë zgjedhjet sipas kërkesës së Serbisë, ka liruar nga burgu një të akuzuar për terroriziëm dhe ka amnistuar të gjithë organizatorët e barrikadave. Tash po jep shenja që ajo “teoria shkencore” e poçit dhe nxemses po merr trajta praktike mbi kurrizin e tij. “Nëse ka rezistencë shumë, ndërkombëtarët çojnë pak rrymë. Nëse ke pak rezistencë, të çojnë shumë rrymë. Në Beograd shohin shumë rezistencë, prandaj iu çojnë pak rrymë. Te na shohin shumë pak rezistencë, prandaj na çojnë shumë rrymë.” Duke u bazuar në këtë teori palidhje, presioni mbi Albin Kurtin qenka i madh sepse ai po reziston pak. Kështu, nëse e bën Asociacionin, atëherë kjo do të ndodhë për shkak të rezistencës së tij të dobët. Sikur ky të rezistojë më shumë, atëherë edhe presioni do të jetë më i ulët”, tha ai.
Ndërsa, analisti politik, Gazmir Raci mendon se shefi i Qeverisë është në kordinim me faktorin ndërkombëtar.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Raci tha se nuk duhet themeluar asociacion një etnik.
“Kryeminsitri Kurti tashmë e ka bërë publik qëndrimin dhe pozicionet e Kosovës. Për Kosovën është me rëndësi ruajtja e rendit kushtetues aktual dhe mos lëjimi i prishjes së sistemit aktual qeverises përndryshe çdo tendencë për të krijuar mekanizma një etnik prish karakterin multietnik që ka Republika e Kosovës”, tha Raci.
Me tutje, Raci mendon se ka një kordinim mes Qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar.
“Gjashtë pikat e Kryeministrit janë poashtu në harmoni edhe me kërkesat e faktorit ndërkombetare se çfarëdo marrvëshje që mund të kemi njohja duhet të jetë në qënder. Pa njohje formale mes Kosovës dhe Serbisë problemi historik nuk do zgjidhet por do prolongohet. Për Kosovën është me rëndësi që konform këtyre zhvillimeve gjeopolitike të jetë në harmoni të plotë me faktorin ndërkombëtar për ta adresuar marrëveshjen finale tani. Nuk kemi kohë për të pritur sepse ky vend ka probleme të rendesishme të zhvillimit ekonomik e social”, tha ai për Nacionalën.
“Presioni ndërkombëtar”
I dërguari Special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, tha se marrëveshjet që janë nënshkruar duhet të zbatohen, duke iu referuar Asociacionit.
“Janë përmendur edhe kushtet e Kurtit, për ne e rëndësishme është që të bëhen marrëveshje për normalizim të raporteve” - tha sot Lajçak.
E ditë më parë, Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor në një shkrim autorial të cilën e kanë publikuar në KOHA.net, kanë kërkuar që të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Është koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” – mban titullin shkrimi i Chollet dhe Escobarit.
Në këtë shkrim, Chollet dhe Escobar kanë thënë se Asociacioni nuk e cenon Kushtetutën e Kosovës dhe se kundërshtojnë “çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë”.


