Kurtin e përkrah kryetari i Linzit: Çka u raportua për ‘anulimin’ e takimit të tij me ministrin austriak? - NACIONALE

Kurtin e përkrah kryetari i Linzit: Çka u raportua për ‘anulimin’ e takimit të tij me ministrin austriak?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një letër mbështetje e mori sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga kryetari i një komune në Austri. Megjithatë, gjatë ksaj jave u raportua se pikërisht me zyrtarë të këtij shteti, shefit të Qeverisë i janë anuluar disa takime për shkak të situatës në veri.

Kryeministri Kurti publikoi sot në Twitter letrën që ka marrë nga kryetari i Linzit të Austrisë, Klaus Lugner.

“Solidariteti demokrat evropian është qenësor.” – tha kryeministri, derisa njoftoi për këtë letër.

Çka thuhej aty?

Luger kishte deklaruar se po i përcjell me shqetësim të madh zhvillimet në Kosovë.

“Agresioni nuk duhet të jetë më instrument në politikën ndërkombëtare.” –tha ai.

Madje, sipas tij, “një shtet modern duhet t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve”.

“Nuk mund të jetë në shpirtin e një shteti modern që të mos pranojë rezultatet zgjedhore dhe t’i kundërshtojë ato me veprime të kontestueshme.” – u shpreh.

Në fund të letrës, Luger deklaroi se mbështet Kurtin në thirrjen për rikthim të sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

Kthehemi në fillim të javës…

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se Qeveria e Kosovës mund të përballet me disa masa, në rast të dështimit për të deeskaluar situatën në veri.

Dhe pikërisht për këtë, para disa ditësh shkroi gazetarja Franziska Tschinderle, duke i quajtur këto “sanksione që po merren seriozisht”.

Në shkrimin e saj, gazetarja e “Profil” në Austri, kishte dhënë informacionin se Kurtit i janë anuluar disa takime, duke përfshirë edhe një me ministrin e Jashtëm austriak.

“Sanksionet e BE-së kundër Kosovës po merren seriozisht me sa duket. Dëgjova se disa takime me Albin Kurtin janë anuluar, mes tyre edhe një takim me ministrin e jashtëm austriak Schallenberg në aeroportin e Vjenës.” - tha ajo.

Disa ditë më parë, derisa po fliste para gazetarëve në një konferencë për media, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano konfirmoi se ky bllok, pra duke përfshirë 27 vendet anëtarë, kanë përgatitur propozime për masa ndaj Kosovës.

“Dua të qartësoj një gjë. S’ka sanksione. BE-ja vendos sanksione, si shkak i masave të definuara nga shtetet anëtare, pas një procesi të gjatë e diskutimeve. Nuk ka sanskione ndaj Kosovës. Për shkak të situatës këto javë, 27 shtete anëtare të BE-së kanë thënë që presin, kërkesë e qartë, për Kosovën dhe Serbinë që të deeskalojnë situatën, sidomos situate në veri që erdhi si shkak i zgjedhjeve.” – ka thënë ai.

Veç kësaj, zëdhënësi evropian kishte bërë të ditur se këto masa kanë të bëjnë me pasoja financiare dhe politike, si suspendim i vizitave të nivelit të lartë e bashkëpunim financiar.

“Bashkimi Evropian në linjë me 27 vende anëtare ka përgatitur propozime për masa me efekt të menjëhershëm. Këto nuk janë sanksione, këto janë masa që merren me efekt të menjëhershëm. Ne presim ende nga kryeministri Kurti që nevojiten për deeskalim të menjëhershëm. Këto masa kanë të bëjnë me pasoja financiare e poitike. Suspendim i vizitave të nivelit të lartë, dhe bashkëpunimit tonë financiar me Kosovën. Këto janë të përkohshëm dhe të kthyeshme.” – tha ai.

Ndërkohë këtë të premte, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell u shpreh i alarmuar për arrestimin e serbëve në Kosovë si dhe për marshimin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut.

Borrell tha se pavarësisht takimit të djeshëm, përshkallëzimi vazhdon të bëhet edhe më i rrezikshëm.

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të menaxhimit të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.” ka shkruar ai.

Ndaj kësaj deklarate, nuk vonoi edhe përgjigja e Kurtit, i cili mes tjerash u shpreh si vijon:

Ushtrimet e sotme të FSK-së në Mitrovicë të Jugut janë një aktivitet i planifikuar, për të cilin KFOR-i ishte i informuar. Kishte 215 ushtarë nga garnizoni “Minatori” deri në Frashër dhe pas. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm.”

Lajme të ngjashme