Kurti i përgjigjet Borrellit: S’përfshihem në hetime të krimeve e arrestime, dezinformimi është i rrezikshëm - NACIONALE

Kurti i përgjigjet Borrellit: S’përfshihem në hetime të krimeve e arrestime, dezinformimi është i rrezikshëm

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes disa shkrimeve në Twitter, ka reaguar pasi kryediplomati evropian, Josep Borrell u shpreh i alarmuar me zhvillimet e sotme në veri.

Kurti, fillimisht ka thënë se ushtrimet e FSK-së në Mitrovicë të Jugut ishin të planifikuar, dhe KFOR-i ishte i informuar.

Ai madje, ka shtuar se dezinformimi është “i rrezikshëm dhe i papranueshëm”.

“Ushtrimet e sotme të FSK-së në Mitrovicë të Jugut janë një aktivitet i planifikuar, për të cilin KFOR-i ishte i informuar. Kishte 215 ushtarë nga garnizoni “Minatori” deri në Frashër dhe pas. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm.” – u shpreh ai.

Kryeministri ka shtuar se policia arrestoi sot një person në veri për “sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it”, bazuar në prova të shumta.

“Bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, Policia ka arrestuar një person në N. Mitrovicë për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj. Si kryeministër i një shteti demokratik, kam zero përfshirje në hetime të krimeve dhe arrestime.” – shtoi tutje.

Në fund, Kurti pati një thirrje për të gjithë që “t’i konfirmojnë burimet e të presin informacione zyrtare para se të përfshihen publikisht në transmetim të lajmeve”.

“Duke shpërndarë panikë dhe pretendime të rrejshme, vetëm nxiten tensione dhe ndihmojnë ata që tentojnë të ekskalojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutem konfirmoni burimet tuaja dhe prisni për informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës, para se të vendosni që të përfshiheni në transmetim të lajmeve apo të parashikoni ngjarjes.” – deklaroi ai.

Borrell i alarmuar

Më herët në një shkrim në Twitter, shefi i diplomacisë së BE-së u shpreh i alarmuar për arrestimin e serbëve në Kosovë si dhe për marshimin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut.

Borrell tha se pavarësisht takimit të djeshëm, përshkallëzimi vazhdon të bëhet edhe më i rrezikshëm.

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të menaxhimit të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.” – ka shkruar ai.

Pak më vonë prej këtij zhvillimi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se kanë parandaluar “një sulm terrorist” në veri të vendit, pasi u gjetën municione në një veturë me targa të Beogradit.

“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë.” – u shpreh ai.

Duke e shpërndarë këtë lajm, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj pati një reagim për të gjithë ata që kritikuan ushtrimin e FSK-së.

“Sot patëm qindra reagime (të panevojshme) për një marshim kondicional të FSK-së, i cili ishte në planin vjetor të aktiviteteve dhe për të cilin ishin të njoftuar të gjithë.” – tha ai.

Ministri madje, në fund ka pyetur: “Çfarë reagimesh do të ketë ndaj Beogradit pas kapjes së kësaj sasie të armatimit?”

Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim nga pala ndërkombëtare në lidhje me njoftimin e Sveçlës se “është parandaluar një sulm terrorist”, ndërsa as Policia e Kosovës nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare.

Lajme të ngjashme