Sveçla: Parandalohet një sulm terrorist në veri të Kosovës - NACIONALE

Sveçla: Parandalohet një sulm terrorist në veri të Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se sot është parandaluar një sulm terrorist në veri të vendit, derisa Nacionale raportoi më herët se policia po ndiqte një veturë me material të dyshimtë.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka deklaruar se është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, 100 metra larg Zveçanit, k ujanë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme.

Ai ka thënë se “të gjitha këto mjete, kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste”.

“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë.” – u shpreh ai.

Në fund, Sveçla ka thënë se ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga institucionet e sigurisë se gjatë këtyre javëve, “nga territori i Serbisë në Kosovë janë future vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake”.

Policia e Kosovës ndërkohë, nuk e ka dhënë ende deklaratën e plotë në lidhje me këto zhvillime, ndërkaq, zëdhënësi për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, i tha Nacionales më herët se dyshohet për një veturë “me material të dyshimtë” brenda.

“Nuk ka. E kemi një veturë të dyshimtë, që dyshohet për material të dyshimtë brenda.” – ka deklaruar ai.

Ndërkohë, mediat serbe i kanë dhënë bujë një lajmi se policia e Kosovës po tenton të bëjë arrestime të tjera.

Madje, në këto raportime pretnedohej se “papritur, disa vetura u panë me njësi speciale dhe morën pozicionet përreth ndërtesave”.

Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duke i përmendur edhe kritikat që i morën për marshin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut.

“Kjo sasi e armatimit është kapur sot nga Policia e Kosovës, për të parandaluar sulme terroriste të nxitura dhe planifikuara nga Serbia.

Janë të përditshme rastet e tentimit për destabilizim të vendit tonë dhe ende dikush hamendëson për fajtorin e vetëm në këtë mes, e që është Beogradi.

Sot patëm qindra reagime (të panevojshme) për një marshim kondicional të FSK-së, i cili ishte në planin vjetor të aktiviteteve dhe për të cilin ishin të njoftuar të gjithë.” – tha ai.

Ministri madje, në fund ka pyetur: “Çfarë reagimesh do të ketë ndaj Beogradit pas kapjes së kësaj sasie të armatimit?”

Lajme të ngjashme