Borrell: Shumë i shqetësuar nga arrestimet dhe marshimi i FSK dhe gjuha e Serbisë
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell është shprehur shumë i shqetësuar për arrestimin e serbëve në Kosovë si dhe për marshimin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut.
Borrell në Tiwtter ka shkruar se pavarësisht takimit të djeshëm, përshkallëzimi vazhdon të bëhet edhe më i rrezikshëm.
“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të menaxhimit të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.” – ka shkruar ai.
Very alarmed by situation in north of Kosovo: extrajudicial arrests of K-Serbs & Kosovo Security Forces marching in South Mitrovica; followed by heavy rhetoric from Serbia.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) June 23, 2023
Despite yesterday's crisis meeting, escalation continues & is becoming dangerous. We will not tolerate it.
Çka ndodhi dje?
Zgjedhje të menjëhershme, sa më parë që është e mundur, kërkoi kryediplomati evropian Josep Borell, duke thënë se pas kësaj, situata mund të normalizohet.
“Zgjedhjet e hershme, zgjedhje të reja sa më shpejt qe është e mundur me pjesëmarrje të plotë, dhe pas kësaj, pasi situata të normalizohet të vazhdojnë punët në normalizim përmes te dialogut të lehtësuar nga BE. Para ca muajsh patëm arritur një marrëveshje themelore në rrugëtimin drejt normalizimit dhe me të vërtetë dukej që ishim në një drejtim të mirë për të avancuar, duhet t’i kthehemi implementimit të kësaj marrëveshje dhe kjo përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.” – tha ai.
Borell u shpreh se ka vendosur mbi tavolinë disa propozime konkrete, ani pse s’pati takim trepalësh, por vetëm të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Pas katër orë takime, unë mendoj që të dy liderët e kuptojnë rreptësinë e situatës. Por ashiqare janë në situata të ndryshme, në qasje të ndryshme, në interpretime të ndryshme mbi shkaqet dhe pasojat dhe zgjidhjet. Në mënyrë që të përpiqemi të shkojmë përpara, unë kam vendosur propozime konkrete mbi tavolinë bazuar mbi gjendjen e lartëcekur të BE-së. Dhe lista në këtë kontekst, ne jemi pajtuar për nevojën për zgjedhje të reja dhe diskutimin mbi modalitetet dhe hapat si të arrijmë atje (te zgjedhjet v.j.). Ende nuk jemi aty, por së paku ne e dimë si të ecim tutje, cilat janë dallimet dhe alternativat mbi procedurat.” – deklaroi ai.
Kurti ndërkohë, njoftoi se kupton nevojën për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.
“Natyrisht që e kuptoj që ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, me një proces që paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një kampanjë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhje të lira dhe demokratike.” – tha ai.
Sipas Kurtit, ai i kishte thënë Borellit se prania e Policisë në afërsi të objekteve të komunave në veri është e obligueshme, ndonëse jo e dëshirueshme.
‘’Unë i thash Borrellit që policia nuk është në afërsi të godinave, por brenda ndërtesave. Prania e tyre nuk është e dëshirueshme për ne, por është e obligueshme për ta duke pasur parasysh ekstremistët e dhunshëm që kanë ushtruar dhunë mbi policët e Kosovës, ushtarakët e NATO-s, e gazetarët... Ne nuk mund ta bëjmë zvogëlimin gradual dhe proporcional, siç e kemi paralajmëruar, të policisë përderisa nuk ka një përballje me drejtësinë të këtyre elementëve ekstremistë, të largimit të tyre. Ndërkaq, po zgjedhje të parakohshme pa dyshim jemi të hapur, vetëm se zgjedhjet e parakohshme duhet të kenë zgjidhje ligjore. Nuk mund të bëhen zgjedhjet e parakohshme jashtë ligjit, siç e parasheh ligji në Kosovë, ta zëmë me nënshkrim e qytetarëve të cilët mbledhin përmes një peticioni vullnetin e tyre që t’ia përfundojnë një kryetari të komunës. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit dhe është e mundshme në Kosovë.’’ – deklaroi kryeministri.
Siç raportoi Radio Evropa e Lirë, Vuçiq në anën tjetër tha se “nuk mund të konfirmojë që "ka ndonjë udhërrëfyes", për daljen nga kriza në veri të Kosovës.”
"Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyqe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment.” – tha ai

