Kurti e llogarit sukses rikthimin e marrëdhënieve diplomatike me shtetin më të vogël se Podujeva - NACIONALE

Kurti e llogarit sukses rikthimin e marrëdhënieve diplomatike me shtetin më të vogël se Podujeva

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten në mbrëmje publikoi një listë të arritjeve në fushën e politikës së jashtme, të cilat, sipas tij, janë arritur gjatë mandatit aktual qeveritar. Në krye të listës e vendosi liberalizimin e vizave, edhe pse kushtet për këtë hap ishin plotësuar qëmoti. Përmendi edhe një shtet që pak njerëz e dinë se ekziston.

“Vitin 2024 e filluam pa viza në Zonën Shengen e me pasaportë shumëfish më të fuqishme, të cilën nga janari na e njeh edhe Spanja” – shkroi Kurti në “Facebook”. Në listën e sukseseve, fuqizimi i pasaportës është vendosur i dyti. Kjo arritje është “automatike”, sepse ka ardhur bashkë me liberalizimin e vizave, për të cilin Kurti po mundohet t’i marrë meritat.

Më tutje, Kurti e llogarit sukses edhe procesin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në listë është janë edhe hapja e Misionit Special në Selinë e Shenjtë të Vatikanit dhe hapja e Misionit të parë në Poloni. Mirë boll.

Megjithatë, bie në sy pika e parafundit: rikthimi pas pesë vjetëve i marrëdhënieve diplomatike me Palaun. Po, po, shtet është Palau. Për ta vënë në pah “peshën” e kësaj arritjeje, të mësojmë pak për shtetin e largët, modest, që ka sipërfaqe dukshëm më të vogël se Podujeva.

Ç’shtet është Palau?

Palau, zyrtarisht Republika e Palaut, është shtet i vogël ishullor në nënrajonin e Mikronezisë në Oqeani, në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Palau e njohu pavarësinë e vendit tonë pak më shumë se një vit pas shpalljes së saj – më 6 mars 2009.

Shteti përbëhet nga rreth 340 ishuj të vegjël dhe ka sipërfaqe të përgjithshme prej vetëm 466 kilometrash katrorë. Sa për krahasim, sipërfaqja e Komunës së Podujevës është dukshëm më e madhe – 633 kilometra katrorë.

Sipas vlerësimit të vitit 2021, Palau ka vetëm 18 mijë e 24 banorë. Sa për krahasim, sipas regjistrimit të vitit 2011, Komuna e Kastriotit (ish-Obiliq), atëherë kishte më shumë banorë se Palau më 2021 – 21 mijë e 549.

Megjithatë, Palau është shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara. Në këtë organizatë është pranuar në vitin 1994.

Ekonomia e Palaut mbështetet kryesisht në turizëm, bujqësi dhe peshkim./Nacionale

Lajme të ngjashme