Kurti e Haradinaj bashkë në Amerikë: Marrëveshje finale apo rastësi 'Çakorri'? - NACIONALE

Kurti e Haradinaj bashkë në Amerikë: Marrëveshje finale apo rastësi 'Çakorri'?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta. Madje kohëve të fundit Haradinaj ka qenë ndër kritikët më të ashpër të Kurtit, i cili në cilësinë e kryeministrit po udhëheq me Kosovën për më shumë se një vit.

Kurti e Haradinaj janë përplasur për shumë çështje përfshirë verifikimin e veteranëve, dialogun me Serbinë e energjinë. Por, që të dy, si për rastësi, kanë ndarë një rrugë ajrore të ngjajshme ditëve të fundit.

Kurti e Haradinaj, ndonëse ndaras, kanë fluturuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për vizitën për në ‘tokën e premtuar’ të shefit të ekzekutivit, mediat u njoftuan nëpërmjet një komunikatë të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në ShBA, kryeministri do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan. Sot do të takohet me përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, ka njoftuar Qeveria.

Ndërsa, për “fluturimin” e Haradinajt, informoi deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, duke sqaruar se ish-kryeministri do të qëndrojë 9 ditë në Amerikë.

Do të qëndrojë për afro nëntë ditë. Kjo i bën mirë Kosovës, sepse zotëri Haradinaj është përkrahës i SHBA-së, sidomos kur kogja shumë janë ftohur raportet ndërmjet Qeverisë Kurti dhe SHBA-së”, deklaroi dje Lekaj.

Përkundër që qëndrojnë në të njëjtën kohë në ShBA, as Qeveria Kurti e as Haradinaj nuk kanë treguar nëse do të takohen me njëri-tjetrin atje. Përveç kohës së njëjtë, nuk dihet nëse arsyeja e udhëtimit është e njëjtë për dy liderët politik të Kosovës.

Megjithatë, në Kosovë po përflitet që udhëtimi i Kurtit e Haradinajt në të njëjtën kohë në ShBA nuk është rastësi e as ‘çështje e fatit’. Konsiderohet se ‘fluturimi’ për në Amerikë është i planifikuar si për nga koha e arsyeja.

Amerikanët dëshirojnë të takojnë njëri pas tjetrin Kurtin dhe Haradinajn për të biseduar rreth marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Në këtë kontekst, Haradinaj llogaritet si një nga personalitetet politike me peshë në çështjen e marrëveshjes finale me shtetit fqinj, duke u bazuar në të kaluarën e tij ushtarake dhe jo vetëm.

Për dallim nga kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, e ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, Haradinaj shihet si lideri që duhet të konsiderohet në çfarëdo marrëveshjes përfundimtare. Prandaj, zyrtarët amerikan, me të cilët priten të takohen Kurti e Haradinajn, dëshirojnë të ‘lexojnë’ pulsin e dy liderëve kosovarë.

Kujtojmë që sa ishin në opozitë, Kurti e Haradinaj kanë bashkëpunuar ngushtë në disa tema kyçe e me theks të veçantë në lidhje me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Ndryshe, ky është udhëtimi i dytë i Kurtit për në ShBA, një vit pasi mori detyrën e kryeminsitrit të Kosovës.

Lajme të ngjashme