Kurti dhe Sveçla ende nuk tregojnë pse njësitet speciale të Policisë shkuan natën në Skenderaj: A ishte një inskenim i pushtetit? - NACIONALE

Kurti dhe Sveçla ende nuk tregojnë pse njësitet speciale të Policisë shkuan natën në Skenderaj: A ishte një inskenim i pushtetit?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës dhe policia nuk e kanë dhënë asnjë sqarim pse të enjten në mesnatë u dërguan në Skenderaj njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

Deri me tani as kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe as ministrit në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për këtë çështje.

Kur kryeministri Kurti është pyetur dje për këtë temë, ai ka thënë se nuk e di se çfarë ka ndodhur.

S’e di çfarë ka ndodhur pas mesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë më i shpejt”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

Kurse, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka zgjedhur heshtjen për këtë çështje.

Ndonëse vazhdimisht flet për aksionet policore, deri me tani ai nuk e ka thënë asnjë fjalë për dërgimin e njësive policore me maska dhe armë të gjata në mesnatë në Skenderaj.

Në anën tjetër, policia ka dhënë një sqarim qesharak për këtë ngjarje.

Një pjesë e Njësisë Speciale e kanë vetëm plan operativ për shkak se është vera duke u afruar dhe ka më shumë qarkullim të automjeteve, nuk është asgjë për t’u shqetësuar”, është thënë në përgjigjen e policisë.

Dërgimi i këtyre njësive atje ka nxitur reagime të shumta.

Opozita, shoqëria civile dhe njohës të rrethanave politike e kanë dënuar vendimin për dërgimin e njësive speciale policore në Skenderaj.

Sipas tyre, ky ishte një provokim i hapur i pushtetit për qytetarët e Skenderajt.

Për një veprim të tillë ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Ai ka kërkuar nga Albin Kurti t’i ndalojë këta skenarë përçarës.

Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force. E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë. Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin. Kërkoj nga votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor. Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes”, ka shkruar Hamza.

Kurse, kandidati për deputet i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se ky veprim ishte një inskenim i pushtetit.

Çdo inskenim që e bën Kurti, e llogarit qysh me u perkthy në elektorat. Aty zoti Mehana ka shku me qëllim, provokimin e ka bë me qëllim, për këtë jam i bindun sepse edhe herën e kaluarën ka pas fyrje sistematike, private personale. Pra këto janë inskenime. Efekti është paniku. Albin Kurti është në panik të thellë, ai po e sheh humbjen e dominimit të tij. Dhe sa herë e sheh këtë rrezik ai bëhet agresiv, është në gjendje me përdor komplet aparatin e sigurisë”, ka thënë Behrami.

Lajme të ngjashme