Kurti dhe Sveçla demantohen nga të gjitha shtetet e QUINT-it, s’e koordinuan as KFOR-in për organizatat terroriste - NACIONALE

Kurti dhe Sveçla demantohen nga të gjitha shtetet e QUINT-it, s’e koordinuan as KFOR-in për organizatat terroriste

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tashmë të gjitha shtetet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia – kanë konfirmuar se Qeveria e Kosovës s’i ka koordinuar për shpalljen e organizatave terroriste, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”. Ndonëse kryeministri Albin Kurti e ministri Xhelal Sveçla lanë të kuptohet se për gjithçka ka pasur koordinim, në krejt këtë, nuk ishte i përfshirë as misioni i KFOR-it.

Në mbledhjen e fundit, Qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

Kjo është deklarata e ministrit Sveçla, pasi u mor ky vendim:

Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar.”

6 demantime

Gjashtë demantime pasuan pas kësaj deklarate të ministrit të Punëve të Brendshme. Një zëdhënës i DASh-it tha se ky vendim s’u koordinua, por do të duhej të koordinohej me partnerët ndërkombëtarë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale.” - tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Gjermania po ashtu, konfirmua se Kosova s’është koordinuar me këtë shtet, duke e përgenjështuar më shumë kështu Sveçlën e Kurtin.

Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht. Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore.” – u tha nga Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë për Klan Kosovën.

Njëjtë edhe Mbretëria e Bashkuar, deklaruan si vijon: Nuk jemi konsultuar (nga Kosova) për këtë (vendim).

Po ashtu, edhe Franca konfirmoi se Qeveria “s’u koordinua me ta, e as s’i informoi për këtë vendim”. Ndërkaq, edhe Ambasada Italiane për “Klan Kosova” dha një përgjigje të njëjtë.

Qeveria s'e konsultoi as KFOR-in në fakt. Kjo është konfirmuar nga KFOR për Nacionalen, në pyetjen rreth deklaratave të ministrit Sveçla, i cili deklaroi se “gjithçka ndodhi në koordinim”.

“KFOR-i s’ka qenë i përfshirë.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Vendimi i Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë u shpreh se këto dy formacione ilegale, paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.

Por me këtë vendim nuk u pajtua ministri në Qeverinë Kurti për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

“Ne me këtë veprim nuk japim alternativë bashkimit të institucioneve normale të cilat ne i formojmë dhe udhëheqim, për fat të keq, shpesh herë tregojmë vetëm shkopin.” – tha ai, duke përdorur figurën mes "shkopit" dhe "karrotës".

"Përsëri ata janë bashkëqytetarë tanë, edhe pse të manipuluar, janë qytetarë tanë. Nuk janë fajtorë sepse nuk kanë ndoshta informacione të ndryshme. Dikush e ka periudhën e menaxhimit të gjatë, unë ju tërhjek vërejtjen që kjo qasje e tillë do të na largojë më shumë, nëse ekziston mundësia që të punojmë në atë kontekst, iu kisha lut, edhe do të jem, mendoj që ky vendim në këtë moment, është vendim, do të ishte me lënë pasoja me bashkëqytetarët tanë në veri." – deklaroi ai.

Lajme të ngjashme