Çka thuhet në vendimin e Qeverisë për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” e “Brigadës së Veriut” organizata terroriste?
Dje Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar vendosi t’i shpallë si organizata terroriste dy formacione tashmë ilegale serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”. E vendimi i Qverisë së Kosovës, i nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, është publikuar sot në media.
Në këtë vendim, theksohet se këto dy organizata ilegale shpallen si terroriste për të ruajtën sigurinë kombëtare, rajonale dhe globale.
“Bazuar në informatat, analizat, vlerësimet dhe rekomandimet e institucioneve të sigurisë, grupet dhe/apo entitetet e përcaktuara në pikën 1. të këtij Vendimi përbëjnë rrezik dhe kërcënim për sigurinë, rendin kushtetues si dhe paraqesin kërcënim terrorist apo kërcënim për kryerjen e veprave terroriste në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën dy të këtij vendimi.
Tutje me anë të këtij vendimi “obligohen institucionet relevante të rendit dhe sigurisë dhe institucionet e tjera që në pajtim me legjislacionin në fuqi si dhe praktikat ndërkombëtare të ndërmarrin veprimet dhe masat e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi.”- thuhet aty.
Aspekti juridik i vendimit
Në vendim, ceken neni 92 e 93 i Kushtetutuës së Kosovës, neni 8 i Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, e nene të rregulloreve. Gjithashtu në vendim përmendet edhe Strategjia Shtetërore për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit, si dhe Plani i Veprimit. Por çka thonë neni 92 e 93 i Kushtetutës?
Këto nene flasin për Parimet e Përgjithshme të Qeverisë, respektivisht Kompetencat e Qeverisë.
Neni 92 pika 4, të cilës ju referua Qeveria me Vendim, tregon se Qeveria merr vendime.
“Qeveria merr vendime në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligje, propozon projektligje dhe amendamentimin e ligjeve ekzistuese e akteve të tjera, si dhe mund të japë mendimin rreth projektligjeve të cilat nuk janë të propozuara nga ajo.”- thuhet aty.
Gjithashtu edhe neni 93 pika 4, rregullon thuajse të njejtën gjë.
“Qeveria merr vendime dhe nxjerr akte juridike ose rregullore, të nevojshme për zbatimin e ligjeve”- thuhet aty.
Edhe ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, flet për Kompetencat e Qeverisë.
Konsekuencat
Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh denime mjaft të rënda për Organizimin dhe pjesëmarrjen në grup terrorist
Neni 136 i Kodit Penal, parasheh dënime deri në 20 vjet për organizatorët e pjesëmarrësit në grup terrorist.
“Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist 1. Kushdo që krijon, organizon ose drejton një grup terrorist dënohet me gjobë deri në pesëqind mijë (500.000) Euro dhe me burgim prej dhjetë (10) deri në njëzet (20) vjet. 2. Kushdo që merr pjesë në veprimtaritë e grupit terrorist dënohet me burgim prej pesë (5) deri në dhjetë (10) vjet.”- thuhet aty
Edhe neni 138 gjithashtu rregullon ndëshkimin për “Pëgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”
Paragrafi 4, flet për dërgimin apo bartjen e grupeve të armatosura, paisjeve ose burmiveve të tjera në dhe jashtë Kosovës, e që dënohet me 10 deri në 20 vjet burgim.
“Kushdo që me qëllim të kryerjes së një apo më shumë veprave terroriste nga ky Kapitull, dërgon apo bartë grupe te armatosura, pajisje ose burime tjera materiale në ose jashtë Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej dhjetë (10) deri në njëzet (20) vjet.” – thuhet aty.
Historia e “Mbrojtjes Civile”, e “Brigadës së Veriut”
MBROJTJA CIVILE
Njëra nga grupet e para me veprimtari të dyshimtë që vepronte në pjesën veriore të Kosovë, është quajtur “Mbrojtja Civile”. Kjo për herën e parë kishte dalur publikisht në vitin 2011.
Organizata që në serbisht quhet “Civilna zashtita”, kishte nisur veprimet me disa lëvizje me uniforma të zeza nëpër rrugët e Mitrovicës së Veriut. Me kalimin e kohës pjesëtarë të kësaj organizate, kryenin aktivitete të ndryshme në komunat e banuara me shumicë serbe.
Ligji i Mbrojtjes i Serbisë flet pikërisht për organizatën në fjalë, e ku thuhet: “Mbrojtja Civile” është pjesë e “një sistemi të integruar të policisë, e organizuar për funksionimin e suksesshëm të organeve shtetërore, organeve të krahinës autonome dhe vetëqeverisjes lokale... dhe i përmbush nevojat e forcave të mbrojtjes gjatë emergjencave dhe në luftë”.
Fillimisht “Mbrojtja Civile” kishte nisur me 300 anëtarë, kurse më pas jozyrtarisht thuhej se ky numër kishte arritur në mbi 600. Kjo organizatë dhe anëtarët e saj, kishin autoritet të plotë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri si Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq.
“Mbrojtja Civile” të paktën në letër ishte shuar me një marrëveshje që Kosova e Serbia e kishin arritur në Bruksel në vitin 2015. Pjesa më e madhe e anëtarëve të saj ishin integruar në institucionet e Kosovës, për të cilët vazhdimisht ka pasur dyshime lidhur me veprimtarinë që kryejnë, ektra detyrave në institucione të Kosovës ku paguheshin nga taksat e qytetarëve.
Njëri nga udhëheqësit e këtij grupi është edhe Milun Milenkoviq i njohur me nofkën Lune, që ishte arrestuar ditë më parë nga Policia e Kosovës. Ai dyshohej se qëndronte prapa organizimit për sulmet e serbëve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
BRIGADA E VERIUT
Një nga grupet kriminale që u krijua së fundmi në pjesën veriore të Kosovës u quajt “Brigada e Veriut”. Ky grup dyshohej se qëndronte prapa djegies së veturave për serbët që merrnin tabelat RKS, dhe gjithashtu që ushtronte presion te qytetarët që të mos dalin në zgjedhje.
Anëtarët e të njëjtit grup dyshohet të jenë edhe pas dhjetëra barrikadave që ishin vendosur ndër vite në pjesën veriore.
Gjatë problemeve që u shfaqën lidhur me targat dhe masat e reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës, ky grup kishte shkruar disa parulla nëpër rrugët e veriut.
“Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!” – thuhej në disa nga ato parulla.
Për këtë organizatë dihet shumë më pak. Jozyrtarisht raportohej se në krye të këtij grupi qëndron Milan Radojiçiq, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Radojiçiq ishte arratisur dy herë nga Policia e Kosovës.
Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, kishte treguar për gazetën Nacionale se kjo Brigadë është e financuar nga Serbia. Sipas tij, anëtarët e këtij grupi kriminal, nuk janë banorë të Kosovës.
“Brigada e Veriut janë prodhim i shërbimeve sekrete të Serbisë. Mund të jenë edhe banorë të veriut, por kryesisht në bazë të informatave që posedojmë mbi 90% nuk janë banorë të Kosovës. Janë nga Kraleva, Rashkë ka edhe të Beogradit që vijnë. Funksionalizimi i Brigadës së Veriut, është paraqit për futjen e frikës ndaj serbëve të veriut që mos me marrë asnjë hap për koordinim me instituionet e Republikës së Kosovës, se që është formuar lidhur me ndonjë mundësi të konfliktit me shqiptarë”, deklaroi Sheholli.
Përfaëqsues të qeverisë kishin deklaruar se për veprimet e kësaj organizate, kanë deponuar prova në Prokurori.
Për këtë grup kishte folur edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës [klub futbolli në Beograd]”, kishte thënë Vuçiq.
“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” u shpallën sot me vendim të qeverisë si organizata terorriste. Ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, vlerësoi se kjo u bë me qëllim që të ndahen serbët qytetarë, me ata kriminelë që ndërmarrin veprime terroriste.
Sipas Sveçlës, këto grupe kanë pasur pjesëtarë të përgatitur për kryerjen e sulmeve të tilla.

