Niveli i moskoordinimit në tjetër nivel, Kurti s’e konsultoi QUINT’in as për shpalljen e dy organizatave në veri si terroriste
Shpallën dy organizata në veri të Kosovës si terroriste ndërsa thanë se për një gjë të tillë kanë pasur koordinim të plotë me strukturat e sigurisë – ndërkombëtare dhe evropiane – atje. S’shkoi as një ditë që kjo gjë të përgënjeshtrohej. Qeveria e Kosovës, tashmë e një muaj, ka punuar “krye më vete” në pjesën veriore të vendit, ndonëse në ato zona operojnë edhe Misioni Paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, si dhe Misioni Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX-i – si reagues të dytë dhe të tretë. Pavarësisht demantit të vazhdueshëm, në konferenca për media dhe nëpër komunikata me shkrim fjali të llojit “jemi në koordinim të plot me aleatët” jehojnë gjithandej, ndonëse se një koordnim i tillë në praktikë del të mos jetë ekzistent fare.
Hera e parë që edhe publikisht do të njoftohej kjo “kryemëvetësi” e përdorimit të forcës në pjesën veriore të vendit ishte pas përplasjes së madhe në Zveçan më 29 maj. Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, duke folur në mediat italiane u kishte shpjeguar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “pa koordinim paraprak me ne dhe me palët e përfshira” kishte vendosur të përdorte forcën në veri.
Ndërkaq, sërish, përveç instalimit me forcë të kryetarëve shqiptarë me nga 100 vota dhe përkundër të vullnetit të popullatës lokale, ai tha se ishte edhe një “veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë së Prishtinës...pa u konsultuar me ne, duke bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”. Kishte ardhur koha që, për herë të parë, një komandant KFOR-i të lëshohej edhe në vlerësime politike, ku peshën e fajit ia barte më së shumti palës kosovare.
Madje, ai “përkeqësimin” e gjendjes në veri do t’ia atribuonte “politikave ekstremiste” të shfrytëzuara nga të gjitha palëve, e që thoshte se daton “prej vitit 2021” – që shënonte edhe ardhjen në pushtet të Albin Kurtit.
"Rezultate të rëndësishme janë arritur në 20 vitet e fundit. Madje edhe në terma të bashkëjetesës paqësore. Por, nisur nga 2021, vetëm hapa prapa, si karkalecat. Për shlal të polarizimit ekstrem të disa fakteve, të eksploatuara nga të gjitha palët në emër të politikave ekstremiste, që kanë minuar stabilitetin mes dy grupeve etnike".
Megjithatë, këtu KFOR do t’i dërgonte vërejtje të hapur e të vrazhdë publike kryeministrit kosovar, Albin Kurtit; i cili në të njëjtën kohë kërkon prezencë më të mëdha forcash të KFOR-it në vend, në të njëjtën kohë nuk e konsulton KFOR-in për përdorim të forcës, por edhe “fshehet” prapa KFOR-it.
Këtu ai do të ishte i paeukivok ndaj Kurtit: “Misioni paqeruajtës i NATO’s në Kosovë (KFOR’i) nuk mundet dhe nuk duhet të konsiderohet si një çadër ku duhet të strehohesh pas veprimeve të njëanshme që shqetësojnë balancet e pasigurta”.
Por, përtej kësaj. Qeveria e Kosovës doli se nuk është koordinuar, siç tha Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, me faktorin ndërkombëtar të sigurisë atje; deklaroi se “për këtë hap, ne jemi në koordinuar” me aleatët perëndimorë.
“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar.” - deklaroi ai në konferencën e djeshme për media pas mbledhjes së qeverisë, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjikë.
E para për ta përgënjeshtruar këtë pretendim ishte Departamenti amerikan i Shtetit. “Jo”, thanë ata, “nuk kemi qenë të njoftuar”.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale.” - tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
Pas amerikanëve, edhe gjermanët reaguan për këtë temë. Njëjtë sikurse ShBA-ja, edhe Gjermania e konfirmoi mungesën e koordinimit të Qeverisë Kurti me shtetin gjerman për punën e shpalljes së dy organizatave terroriste. Edhe Gjermania e përgenjështroi Sveçlën e Qeverinë Kurti.
“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht. Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore.” - ka theksuar Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë për Klan Kosovën.
Njëjtë edhe Mbretëria e Bashkuar. “Nuk jemi konsultuar (nga Kosova) për këtë (vendim)”, tha shkurt një zëdhënës i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë./Nacionale/