Kurti dhe Gërvalla i gëzohen liberalizimit të vizave nga Tajlanda, “harrojnë” se Kosovës nuk ia sollën asnjë njohje - NACIONALE

Kurti dhe Gërvalla i gëzohen liberalizimit të vizave nga Tajlanda, “harrojnë” se Kosovës nuk ia sollën asnjë njohje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti dhe kryediplomatja Donika Gërvalla janë krenuar shumë me vendimin e Tajlandës për të liberalizuar vizat për kosovarët. Ndonëse shteti aziatik këtë vendim e ka marrë edhe për mbi 90 shtete tjera, Kurti e Gërvalla një veprim të tillë e konsiderojnë si sukses të tyre.

Madje, ata kanë vlerësuar se veprimi i Tajlandës e ka forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Duket se ata kanë harruar se në mandatin e tyre nuk ia kanë sjell Kosovës asnjë njohje. Përveç kësaj, nuk e kanë shfrytëzuar as shansin e art për të anëtarësuar Kosovën në Këshill të Evropës.

Njohësit e politikes së jashtme janë tallur me pretendimet e liderëve institucionalë.

Ata ia kanë përmendur Kurtit dhe Gërvallës dështimet në politiken e jashtme dhe sanksionet e BE-së ndaj Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka vlerësuar se për këtë çështje më shpejt kanë njoftuar avio kompanitë se Kurti e Gërvalla.

Në profilin e saj në “Faceboook”, ajo ka shkruar se Tajlanda ia ka hequr vizat Kosovës dhe 92 shteteve tjera për interesa te saj.

Ajo ka ftuar Kurtin dhe Gërvalaln që të koncentrohen në sjelljen e ndonjë njohje për Kosovën.

“Shumë më shpejtë kanë bërë njoftim që janë heq vizat e Tajlandës për Kosovën avio-kompanitë sesa Donika e Albini! Tajlanda ka nevojë për më shumë turistë dhe ka bërë ndryshim të politikave siç është heqja e vizave për shumë shtete e në mesin e tyre (93) është edhe Kosova! Për sukses, koncentronu më shumë te ‘tigrat prej letre’ e siguroni ndonjë njohje a anëtarësim se mashtrimi s’po iu ecë!”, ka shkruar Musliu-Shoshi, e cila është anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme.

Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka ironizuar me pretendimet e kryeministrit Albin Kurti dhe kryediplomatës Donika Gërvalla.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se kjo qeveri ende Kosovës nuk ia ka sjell asnjë njohje të re.

“Liderët e koalicionit VV-Guxo qenkan gëzuar që kosovarët mund të shkojnë në Tajlandë pa viza. Po flasin për progres brenda vendit. Për dinjitet e afirmim jashtë Kosovës. Për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë. Ndërkohë, Qeveria e Kurtit dhe Gërvallës nuk i ka sjellë asnjë njohje të vetme shtetit të Kosovës për tre vjet e gjysmë. Kosova ka hyrë në vitin e dytë të sanksioneve ndërkombëtare falë politikës së mbrapshtë të kësaj kaste pushtetarësh. Forcim i subjektivitetit ndërkombëtar?! Prej kur? Prej kur hymë nën sanksione a?”, ka shkruar Hamiti.

Çka thanë Kurti e Gërvalla?

Pas vendimit të Tajlandës për të liberalizuar vizat për kosovarët, ryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se një vendim i tillë e afirmon Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Pasaporta e Republikës sonë po vazhdon të fuqizohet përherë e më shumë. Tajlanda i shtohet listës së gjatë të shteteve në të cilat qytetarët tanë nga ky vit mund të udhëtojnë pa viza. Zhvillim e progres brenda vendit. Dinjitet e afirmim jashtë vendit”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka vlerësuar se veprimi i Tajlandës e forocon subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar kjo arritje reflekton përkushtimin e institucioneve të Kosovës.

“Nga sot, qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza edhe në Tajlandë. Ky është edhe një hap më shumë në fuqizimin e pasaportës së Republikës sonë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo arritje reflekton përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të zgjeruar mundësitë ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet diplomatike me shtetet anembanë botës”, ka shkruar Gërvalla.

Lajme të ngjashme