Kurti afër t’i ketë numrat për qeveri me ‘këmbë të drunjta’ dy-muajshe, pa shenja për koalicion si zgjidhje për presidentin - NACIONALE

Kurti afër t’i ketë numrat për qeveri me ‘këmbë të drunjta’ dy-muajshe, pa shenja për koalicion si zgjidhje për presidentin

4 ditë më parë

nga Xhezair Dashi

Votat me postë të diasporës, me vijimin e trendit aktual, Vetëvendosjes pritet t’ia sigurojnë edhe mandatin e 52-të në Kuvend të Kosovës.

Me 52 deputetë, dhe nëntë të pakicave jo-serbe që merren të mirëqena se i ka, Albin Kurti i Vetëvendosjes arrin 61 deputetë në Kuvend të Kosovës për të zgjedhur qeveri.

Me 61 numra, si qeveri në këmbë të drunjta, megjithatë ai zgjidhje s’duket të ketë për zgjedhjen e presidentit, moszgjedhja i/e të cilit/ës e çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme më së largu pas 60 ditësh nga konstituimi i Kuvendit.

Pyetur nga mediat ditë më parë se si do të jetë kursi i veprimii të tij, Kurti dha indikacione se konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e Qeverisë së vet do ta arrijë “mbarë e mirë.”

Kësisoji duke i qëndruar fjalëve të tij se “vendi ka qeveri, vendi ka president, por çka nuk ka, nuk ka Kuvend,” çka është lexuar gjerësisht që nuk paramendon të ndërtojë koalicion paszgjedhor.

“Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit edhe sa i përket formimit të qeverisë […] VV është fituese e padiskutueshme, dhe ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës 11,” tha Kurti para dy ditësh për media.

Kurti tha se formacioni politik që udhëheq ai “nuk ka nevojë të ndryshojë” kursin e ndjekur në legjislaturën e kaluar që u shpërbë si pasojë e moszgjedhjes së presidentit.

“Për themelimin e institucioneve të legislaturës së 11-të nuk duhet ne të ndryshojmë, sepse ne ishim ata që morën iniciativat për takimet, ne ishim ata që ofruam bashkëqeverisje me LDK-në, nga ana jonë kishim oferta e propozime, konstruktuvitet dhe aktivitet,” tha ai

“Kësisoji t’i shohim edhe tiparet e opozitës.”

Në anën tjetër, bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një seri intervistash për media ndërkombëtare që nga përfundimi i zgjedhjeve, ku i çon porosi Albin Kurtit të Vetëvendosjes për marrëveshje politike, dhe atë jo vetëm për president “por, për tri institucionet.”

"Kompromisi është i nevojshëm jo vetëm për të zgjedhur president, por edhe për të zgjedhur qeverinë e re dhe udhëheqjen e parlamentit. Pra, për të tre institucionet, ne do të kemi nevojë për një kompromis të ri," tha ajo ditë më parë në CNN International.

Osmani shtoi se LDK, ndonëse nuk dihet nëse është qëndrimi i LDK-së, është e gatshme për bisedime me të gjitha partitë, me një përjashtim.

"Nuk duam të flasim me të vetmen parti politike serbe që ka marrë pjesë në akte agresioni dhe shkelje të rendit kushtetues të Kosovës, por çdo parti tjetër këtu është e mirëpritur," deklaroi ajo, duke theksuar urgjencën se "nëse brenda 60 ditëve nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja."

Nga PDK-ja, Bedri Hamza u shpreh se "nuk ka vija të kuqe" për asnjë parti.

Por preferenca e tij e parë mbetet qeveria e ish-opozitës formulë pa numra premtues.

Hamza kushtëzoi që çdo marrëveshje "duhet t'i paraprijë konstituimit të Kuvendit."

"Mendoj që për me pasur institucione shpejtë dhe të qëndrueshme duhet me pas marrëveshje politike qysh tash, pa filluar ende konstituimi i kuvendit," tha ai.

Albulena Haxhiu, zyrtarja kujdestare e institucionit të presidentit, deklaroi ditë më parë se "duhet të ulim të flasim seriozisht" me partitë politike. Haxhiu pretendoi se Vetëvendosja tani kërkon zgjidhje.

"Nëse do të ketë vullnet prej partive politike, do të gjendet zgjidhje," tha ajo. "Kemi shumë dallime, por për çështjen e presidentit duhet të ulemi dhe të dëshmojmë vullnet."

Përparim Gruda i PDK-së e konkretizoi edhe më tej qëndrimin e partisë së tij.

Ai tha se çdo marrëveshje me Vetëvendosjen duhet të ketë Bedri Hamzën kryeministër. PDK-ja mund t'ia linte presidentin Vetëvendosjes, madje edhe vetë Kurtit, shtoi Gruda.

Por "vijë të kuqe" e kanë çështja e gazit amerikan.

Kurti e ka refuzuar këtë propozim, dhe Gruda e cilëson këtë refuzim "rrezik kombëtar për Kosovën."

"Nëse bëhet fjalë për një qeveri që refuzon gazin amerikan dhe ka tendenca me mbajt Kosovën të varfër, unë e shoh një koalicion të pamundur," tha Gruda. Por nuk e përjashtoi plotësisht duke shtuar se "për presidentin jemi detyruar me negociuar të gjithë."

AAK-ja dhe kryetari i saj i ri, Ardian Gjini në anën tjetër kërkojnë që qeveria e ardhshme të krijohet nga ish-opozita: PDK, LDK dhe AAK, pa Vetëvendosjen.

Gjini e bëri këtë deklaratë në emisionin "Rubikon" të Klan Kosovës në intervistën e tij e parë pas zgjedhjeve. "Opozita duhet ta ndalojë Vetëvendosjen që të mos e bllokojë më shtetin," tha ai. "Nëse vazhdojmë kështu, Kosova ka me pësuar shumë keq."

Gjini i ftoi PDK-në dhe LDK-në të bashkohen, duke pranuar se AAK-ja do të jetë partneri më i vogël.

"Kam të drejtë të plotë legjitime me i ftuar," tha ai.

Lajme të ngjashme